E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dervishaj cilësohet killer në SHBA

Skeda e FBI-së

I pandehuri akuzohet në një vend të huaj (Shqipëri) për krimet e formimit të organizatës kriminale, vrasje në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje. Skeda e FBI-së për Plaurent Dervishajn ka edhe tri foto të realizuara në vitin 2004, ndërsa ai njihet me pseudonimin “Lenti”. Dervishaj ka lindur më 2 dhjetor 1972 në qytetin e Durrësit, ndërsa si shenjë dalluese, ai mund të ketë një plagë të shkaktuar nga një armë zjarri në pjesën e shpatullës. Sipas FBI-së, Dervishaj ka lidhje me disa komponentë të krimit në Nju Jork, Nju Xhersi, Miçigan, Kanada dhe në Shqipëri, ndërsa flet mirë shqip dhe anglisht. Më 15 mars 2006 Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri ka nxjerrë mandatet e arrestit për disa komponentë të një grupi kriminal që vepronte në Durrës. Dervishaj bënte pjesë në këtë grup nga viti 1997 dhe drejtësia e vendit tonë e ka vënë nën tri akuza. Në veçanti Dervishaj kërkohet për një vrasje të një anëtari të grupit rival, ngjarje kjo e ndodhur më 17 tetor 1998. Mbi të rëndojnë edhe akuzat e vrasjes së dyfishtë ndaj dy anëtarëve të një grupi kriminal më 29 tetor 1998. Dervishaj është akuzuar se ka vrarë edhe një drejtues të bandave të Durrësit në vitin 1999. Sipas skedës së FBI-së, Dervishaj i ka shpëtuar arrestimit në Shqipëri, duke udhëtuar në qytetin e Vjenës, në Austri, për të përfunduar më pas në Nju Jork, më 15 mars 2006. Mandatet e arrestit janë ekzekutuar në Shqipëri dy ditë më vonë, pra më 17 mars 2006. Dervishaj cilësohet si njeriu më i kërkuar në Shqipëri, ndërsa edhe një mandat tjetër arresti është lëshuar nga policia e Nju Xhersit më 17 prill 2006, për akuzat e qëndrimit të paligjshëm.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›