E Diel, 1 Nëntor 2026

Hazizaj: Votimi i fshehtë nuk duhet të hiqet

Intervista Flet ish-zëvendësministri i Drejtësisë dhe deputeti i Kuvendit

Në debatimin mbi procedimin e Kuvendit për miratimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, shumë juristë kanë dhënë mendimet, duke vazhduar një debat jashtë politikës për këtë çështje të rëndësishme për institucionet shqiptare. Në një intervistë për “Shqip”, në këtë debat është prononcuar edhe juristi i njohur, Sokol Hazizaj, ish-zëvendësministër i Drejtësisë, ish-deputet dhe ish-drejtues i Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Hazizaj thekson se votimi i fshehtë është një nga fitoret e rëndësishme të demokracisë shqiptare që nuk ka përse të hiqet tani, pasi është ende herët. Ndërkaq, Hazizaj jep mendimin edhe për çështjen e diskutimit të kandidaturave që vijnë nga Presidenti i Republikës apo edhe për procedurat në marrëdhëniet mes legjislativit, ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë...

Z. Hazizaj, mazhoranca po kërkon ndryshimin e rregullores, në mënyrë që votimi për dekretet e Presidentit për emërimin e anëtarëve të institucioneve të pavarura kushtetuese të bëhet i hapur, ndërkohë që po në rregullore përcaktohet se votimi për persona bëhet i fshehtë. Si e konsideroni ju si ish-parlamentar dhe jurist me përvojë?

Mënyra e ushtrimit të procedimit të votimit nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë është rregulluar shumë mirë në Rregulloren e Kuvendit, përkatësisht në nenet 57, 58 dhe 60 të saj, ku në mënyrë shumë të detajuar përcaktohet se dhe në cilin rast votohet hapur dhe në mënyrë të fshehtë. Përcaktimi i mënyrës së fshehtë të votimit është formatuar jo në mënyrë të rastësishme në lidhje mbi personat, për dy dhe më shumë arsye, të cilat fillojnë që nga kuptimi tradicional i arsyetimit tonë mbi votën, që do të thotë se duke qenë një vend me demokraci të brishtë, e kemi trajtuar votën ndoshta si mjet në kuptim të borxhit ose nderit të tjetrit ndaj votëdhënësit, ose si mjet presioni. Ndërsa në kuptimin teorik kur është draftuar mënyra e votimit në Kuvendin e Shqipërisë, pra nenet e sipërpërmendura, më kujtohet që janë diskutuar shumë variante teorike, që nga variantet perëndimorë por edhe ata lindorë, si dhe nisur nga arsyetimi i mazhorancës së atëhershme se mirëkuptimi është thelbi i demokracisë, ndërsa fitorja për shkak të numrave është përjashtuese, u mundësua të pranohej votimi i fshehtë për personat. Për këto shkaqe, si dhe për të tjera arsye edhe politike, do të isha i mendimit se është mirë të debatohet për të tilla sensibilitete, por jam kaq i bindur se dhe vetë mazhorancës së sotme nuk duhet t'i interesojë shumë ndryshimi i kësaj dispozite të Rregullores së Kuvendit. Sa i përket përvojës së votimit lidhur me emërimet e Presidentit në Gjykatën e Lartë, përvoja e mënyrës së votimit i takon votimit të fshehtë, këtë fakt duhet ta kujtojnë shumë mirë edhe ish- ministri i Drejtësisë në qeverinë socialiste, sot ministër i Mbrojtjes.

Para pak kohësh u rrëzua një anëtar i Gjykatës Kushtetuese i emëruar nga Presidenti, vendim që pasoi me reagime. Si e konsideroni këtë vendim?

Sa i përket mosdhënies së pëlqimit nga Kuvendi mbi emërimet e Presidentit në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, jam i mendimit se nuk është hera e parë që Kuvendi i Shqipërisë nuk jep pëlqimin për emërime të kësaj kategorie gjyqtarësh, po kështu do të ishte më mirë që të mos gjykoheshin shkaqet dhe arsyet për të cilat Kuvendi ynë, si çdo Parlament tjetër merr vendimet e tij, sa kohë që sistemi ynë politik është parlamentar. Në këtë kuptim më duket shumë e nxituar që mazhoranca e sotme shumë vendimeve të Kuvendit i jep vetiu natyrë politike. Kuvendi merr shpeshherë vendime politike, por ka dhe raste që pëlqimi nga ana e tij nuk mund të jetë politik, siç mund të jetë dhe për rastin e parashikuar në nenin 125/1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Varet nga cilësia e sqarimeve dhe interpretuesve që ka mazhoranca e sotme.

Gjatë kohës që ju keni qenë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, cila ka qenë procedura e seancave dëgjimore me të emëruarit për në krye të gjykatave?

Në Kuvendin e Shqipërisë të viteve 1997-2001 nuk ka pasur seanca dëgjimore për të emëruarit në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, por votohej në mënyrë të fshehtë si për dhënien e pëlqimit nga Kuvendi i Shqipërisë, por dhe kur është kërkuar largimi i dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga ish-ministri i Drejtësisë së asaj kohe. Mendoj se sot është më mirë.

Mazhoranca po përjashton politikisht ish-gjyqtarët që kanë punuar para viteve ‘90, duke zbatuar ligjin e lustracionit, i cili u cilësua antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Sipas jush, që keni qenë edhe drejtues i Ministrisë së Drejtësisë, ku mund t’i marrë gjyqësori njerëzit që do të punojnë në të?

Ligji 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” e kufizoi në mënyrë drastike mënyrën e rekrutimit të gjyqtarëve, në ndryshim nga ligji i vitit 1998. Sa për kujtesë, ritheksoj se niveli i mënyrës së të menduarit për fenomenin social dhe ligjor gjithashtu, kohët e fundit konstatoj se ka rënë shumë, ndoshta edhe për faktin se ndryshimet paqësore kushtetuese të fundit prodhuan shume “shitës, tregtarë apo farkëtarë” në radhët e Kuvendit, kështu që dhe gjyqësori nga këto radhë do të pasurohet.

është krijuar një situatë ku përgjithësisht juristët më me përvojë punojnë si avokatë, ndërkohë që kemi shumë procese që mbyllen në disfavor të akuzës. Mendoni se kjo është edhe pasojë e ekzistencës së “ajkës” së ligjit tek “armata e avokatëve?

Kur proceset përfundojnë në disfavor të organit të akuzës, fakt shumë i rrallë sipas meje, por është mirë kur ndodhin, nga njëra anë e shkundin organin e akuzës për të punuar më mirë në kërkim të fajit të vërtetë dhe fajtorit gjithashtu, dhe nga ana tjetër nisin debatin ligjor në gjykatë, thelbi i të cilave qëndron tek e drejta. Megjithëse kohët e fundit, më duket si një institucion i vetëm prokuroria me gjykatën, ndoshta se janë në të njëjtën godinë, si p.sh. ajo e Krimeve të Rënda.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›