E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqëria civile kërkon përfshirjen e saj në reformën zgjedhore

Aksioni qytetar: Duhet të jemi aktorë në reformën zgjedhore

Në një tryezë të mbajtur dje, nismëtarët e aksionit qytetar për reformën zgjedhore bënë të qartë qëndrimin e tyre për të qenë pjesë e debateve të ardhshme për këtë reformë dhe ftuan që kësaj nisme t’i bashkëngjiteshin edhe aktorë të tjerë. “Ne mendojmë se reforma zgjedhore duhet, domosdoshmërish, të konsiderohet dhe të zhvillohet si një proces politiko-legjislativ, që duhet të karakterizohet nga gjithëpërfshirja”, theksojnë në një deklaratë për shtyp përfaqësuesit e aksionit qytetar. Sipas tyre, opozita duhet të hartojë draftin e amendimeve për ndryshimet në legjislacionin zgjedhor, të cilat duhet të konsultohen më pas jo vetëm me mazhorancën, por edhe me të gjithë aktorët e tjerë të interesuar për të. “Ne jemi për një reformë zgjedhore që nuk duhet të jetë produkt i bashkëveprimit bipartizan”, theksojnë përfaqësuesit e kësaj iniciative. Në këtë kuadër, aksioni qytetar për reformën zgjedhore fton të gjitha organizatat e interesuara, grupe qytetare, akademikë, specialistë në fushën e legjislacionit zgjedhor, për të kontribuar në këtë reformë me rëndësi të veçantë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›