Dokumentet false, prangosen dy të rinj nga Kosova
Durrës
Dy shtetas të Kosovës janë prangosur nga shërbimet e kufirit dhe migracionit në Durrës, pas konstatimit se po përdornin dokumente false për të kaluar kufirin shtetëror përmes portit detar drejt Italisë. Në orën 02:00 të ditës së djeshme u arrestuan në flagrancë Ekrem Krasniqi, 31 vjeç nga Podujeva dhe Deniz Altan, 33 vjeç nga Prizreni. Krasniqi, natën e së enjtes u kap në flagrancë në terminalin e pasagjerëve, duke tentuar të udhëtojë në drejtim të Italisë me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, duke përdorur për udhëtim një pasaportë belge, letërnjoftim belg dhe një dëshmi aftësie për drejtim automjeti në emër të tij, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. Edhe Altan u kap ndërsa po tentonte të imbarkohej në një tjetër traget të linjës Durrës-Bari me dokumente belge, përfshirë dhe patentë për drejtim automjeti të cilat ishin në emër të tij, po dyshohet se janë false. Policia sekuestroi dokumentet e përdorura nga këta shtetas dhe materialet për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për hetime të mëtejshme.
#