E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të majtët, në pritje të Cunamit



Nga Matthew Parris "The Times"

Ndërkohë që gazeta "The Times" troket në mëngjes në dyert e lexuesve, shumë prej tyre do të jenë duke u bërë gati për të votuar. Ndodh shumë rrallë në historinë e zgjedhësve britanikë që zgjedhja e tyre të ketë një peshë kaq të rëndësishme në rrethana kaq të pazakonta.

A na ka ndodhur ndonjëherë të kemi pasur një qeveri, për të cilën votimi pro ose kundra të ngjallë kaq interes? Ne kemi një Kryeministër që ka humbur vegjët e komunikimit me kolegët e vjetër e të rinj, që nuk e çon ndër mend as të tërhiqet e as të dorëhiqet. Ne kemi një kabinet qeveritar ku disa apo të tre zyrtarët më të lartë të tij me "thembrat e tyre të Akilit", në sfidat që i kanë kaq pranë dhe që janë aq të hidhta. Gjithsesi, duhet medoemos t'ia dalin mbanë. Një kabinet qeveritar - anëtarët politikanë të së cilës kanë dhënë ndihmën e tyre të pakursyer, për të përcaktuar personalitetin e një qeverisjeje, - tashmë të tërhequr, që ka bërë gati valixhet dhe pret të dëgjojnë se kush është i padëshiruari i radhës.

Cilado të jetë mënyra se si do të konturohet një qeveri laburiste - ajo e pas 4 qershorit - ne nuk mund ta dimë, sepse është më se e qartë se edhe Kryeministri vetë nuk e di. Pas pak kohësh, Gordon Brown nuk do të ketë më pushtet për të ushtruar, përkundrazi ai do të lajkatojë, do të orvatet të bëjë pazar, miklojë apo kërcënojë këdo e kudo që i nevojitet. Ai mund edhe t'ia dalë mbanë të krijojë një kabinet të ri me mbështetësit e tij personalë, mund të pranojë edhe një armëpushim me bleristët (mbështetësit e Tony Blair-it - shën. im) e drejtuar nga Lord Mandelson. Por edhe mund të shpërfillet. Të japë vetë dorëheqjen, edhe pse komandantët janë të destinuar të mos dorëzohen deri në pikën e fundit të gjakut, edhe sikur të mos e dëshironin me hir një gjë të tillë.

Këto janë pasiguritë që shpërfaqen. Votuesit që drejtohen për në kutitë e votimeve me idenë e mbështetjes për kandidatët laburistë, mbartin mbi shpinë një thes me dyshime për të thënë "yes". Ata e ndiejnë veten shumë larg nga qenia e tyre në vitin 1997, kur vendi ndihej në rrugë të sigurt 'me apo pa bazë kjo' - por për atë çka asokohe ishin më se të bindur. Sot, politika na ka ftuar për te kutitë e votimit, për të shenjuar gjymtimin, ndoshta kutinë e shenjuar si bllokim, apo ndoshta edhe atë 'dalje nga qerthulli'.

Unë mund të argumentoj se rrokopuja nisi kur supremacia e Tony Blair-it filloi të vyshkej, të zverdhej. Dhe kjo ka ndodhur jo për pasojë të fuqisë së Blair-it, por për shkak të dobësisë së tij. Pas personalitetit aq të pompuar dhe sharmit të tij në zenit, gjendet po i njëjti boshllëk, për të cilin i vjetri i të vjetërve laburistë u shua dhe i riu i të rinjve të tyre doli në dritë. Blerizmi kurrë nuk u bë aq i fuqishëm sa të tejkalonte vetë z. Blair e të mbijetonte. Ndërkaq braunizmi u bë inekzistent. Tashmë është radha e vetë z. Brown të humbasë sfidën e mbijetesës.

Ndoshta edhe jo. Dje zuri fill diçka shpresëdhënëse në gjymtimin e laburistëve (Labour Mayhem). Por në mbrëmje, frymëmarrja po shpresëdhënëse u shua si të mos kishte ekzistuar kurrë. Jo sepse rrethanat ndryshuan tak-fak. Por, sepse askush nuk mund t'i rezistojë përjetimit të ndjenjës së tmerrit për një kohë të gjatë. Pas tmerrit, zë vend depresioni dhe depresioni më kthehet në gjendje të qëndrueshme. Duke e parë veten përballë sondazheve të së shtunës së shkuar për mundësinë e një "grushti pallati" - dhe duke besuar fort se brenda një jave gjithçka do të fashitet - më lini t'ju bëj me dije se sa të tmerrshme janë gjasat. Gjashtë muaj mosqeverisjeje, togfjalësh ky që ka zënë shumë vend në leksikun e politikës, nënkupton "nuk mund të vazhdohet kështu". Por gjithsesi, edhe mund të shtyhet.

Mbretëresha nuk mund t'i kërkojë të braktisë udhëheqësinë kombëtare, edhe pse ka humbur dhomën e përfaqësuesve (në Parlament). Është më shumë se fantazi të besosh se me një debat për mocion mosbesimi nga opozita konservatore, parlamentarët laburistë që kanë ngritur krye herë pas here, të votonin kundra. Një mocion i tillë - duke e ndier se varka e tyre do të prekte cektësinë - do të shërbente që të gjithë laburistët të shtrëngonin radhët "për të mos u mbytur", e për t'i dhënë mbështetje morale kapitenit. Për pasojë, ai mund të zgjedhë këdo në kabinetin e tij qeveritar, në ditët që pasojnë.

Shanset teorike për një "goditje nga brenda" të grupit parlamentar laburist janë të mëdha. Por ku do të shpinte kjo "goditje" Partinë Laburiste? Do të shkohej me shpejtësi marramendëse (ashtu siç çuçurisin e pëshpëritin vesh më vesh aleatët e z. Brown) drejt gijotinës së zgjedhjeve të parakohshme.

Personalisht, nuk gjykoj se Kryeministri i ri laburist do të thërrasë menjëherë zgjedhjet e parakohshme. Ai apo ajo do të procedojë me caktimin e datës së këtyre zgjedhjeve (me gjasa pranverën e ardhshme), duke na kërkuar të marrim frymë thellë, t'i japim një dorë barkës që po mbytej. Duke ndjekur një kurs për daljen nga situata e rëndë e për të mbështetur "ndryshimet" që opozita konservatore ka kohë që i kërkon, por që tashmë i kanë mbërritur para këmbëve. Situatë kjo që do të pasohet me një dyjavësh të mbushur me potere e shamata për shkelje e cenime kushtetuese, çka do të humbte interesin e gjithkujt.

Por, aleatët e z. Brown i mbeten idesë së tyre që asnjë lider i ri laburist, nuk mund të shmangte dot zgjedhjet e parakohshme. Në secilin prej rasteve, më shumë se 100 deputetë laburistë rrezikojnë të humbasin karriget e tyre parlamentare, nëse përballen me zgjedhjet. Cilido që do të udhëheqë partinë e tyre, do të përballet me humbjen e një shume të ardhurash vjetore, që shkojnë rreth 100,000 £.

Duke përjetuar këtë angështi prej zgjedhjeve të parakohshme, si dhe duke dashur të kapërdijnë këtë situatë tragjike, zërat rigjallërues të laburistëve do të jenë mbytur, do të jenë shuar. Më pas... Prisni Cunamin. Prisni zërat angullimë. Prisni zërat zhurmues për komplote, bile prisni edhe komplotin vetë. Mos u befasoni, nëse brenda disa muajve, kur ne të gjithë do të jemi duke pushuar dhe shijuar rrezet e diellit dhe rërën e plazhit, do të kthejmë kokën pas në këtë javë (javën e parë të qershorit – shën. im) e do të kuptojmë më qartë, do ta shohim më kthjellët e më ftohtë, këtë situatë sa çuditshme aq edhe plot ankth, në të cilën Partia Laburiste, me kurajon e një të dehuri në errësirë që dëshiron të gjejë "shtëpinë". Dhe kur nuk e gjen, shpërthen në nerva.

Gordon Brown nuk është shkaktari i agonisë së laburistëve, por simptomë e saj. Siç është bariu, ashtu janë edhe delet. Është gjithmonë shenjë e cinizmit për të hedhur kokëposhtë blerizmin. Blerizmi ishte më të vërtetë efikas për ta ndarë Partinë Laburiste nga e shkuara e saj, si dhe për të mbjellë në vend besimin për ta zëvendësuar atë (replace it). Ne jemi udhëhequr nga një kabinet qeveritar as mish e as peshk. Ka edhe njerëz të spikatur dhe mendjehapur mes tyre. Po ku është shtylla kurrizore e ku është mishi? Fati i tyre duket të jetë vendi i tretë (në sondazhet e shënuara poshtë shkrimit – shën. im.) më shumë sesa rruga e tretë. Ndoshta më shpejt se fundjava... ndoshta edhe...

E kam parë David Cameron-in (liderin e konservatorëve - shën. im) me syrin e Kryeministrit të ardhshëm. Dëshiroj e besoj ta shoh si një lider në lartësitë e detyrës, ashtu siç ëndërronte të bëhej z. Brown. Por, z. Cameron bëri mirë që nuk u përfshi kokë e këmbë në akuzat për në "skandalin e shpenzimeve" të laburistëve, sepse ka ende rrugë për të gjarpëruar në to. Besoj se ai i lutet fatit që anija e z. Brown të mbetet pa direk dhe të tërhiqet vetë zvarrë në cektësi, deri në fundjavë, si Kryeministër. Dhe si ti tillë të mbahet. Ky është një rast i artë që lutja e tij të jetë e dëgjuar.

---------------

Sondazhi i agjencisë "Populus" mbështetur nga "The Times", i zhvilluar vetëm një javë para se të mbahen zgjedhjet për parlamentin evropian në Angli, jep këto rezultate:

1. Partia Laburiste ( PL) 16 %

2. Partia Konservatore ( PC ) 30%

3. Partia për Pavarësi nga Britania e Madhe ( UKIP) 19%

4. Partia Liberal-Demokrate (PLD) 12%

Përgatiti në shqip Zamir Gjurgji

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›