E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon arrestimi i Albin Kurtit

Njësia Speciale e Kosovë nuk ka arritur të arrestojë liderin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, gjatë një operacioni të ndërmarrë pasditen e së hënës. Pjesëtarët e kësaj njësie kanë tentuar të arrestojë Kurtin, ndërsa ai po merrte pjesë në varrimin e babait të njërit prej drejtuesve të kësaj lëvizjeje, aksion i cili është penguar nga aktivistët e “Vetëvendosjes”.

Sipas kësaj lëvizjeje, gjatë këtij aksioni, policia ka përdorur dhunë dhe gazëlotsjellës, ku kanë mbetur të lënduar disa aktivistë të “Vetëvendosjes”. “Sot rreth orës 17.00 gjatë ceremonisë së varrimit të veprimtarit Ali Aliu, babai i njërit prej drejtuesve të Lëvizjes “Vetevendosje”, Liburn Aliu, Njësia speciale e Policisë së Kosovës ka ndërhyrë dhunshëm duke tentuar të arrestojë Albin Kurtin, por nuk ia ka arritur qëllimit.

Ndërkohë ka arrestuar në mënyre brutale shtatë aktivistët kryesorë të Lëvizjes “Vetevendosje! Gjatë arrestimit është ushtruar dhunë e pajustifikueshme”, ka njoftuar përmes një komunikate kjo Lëvizje. Ndërkohë, bëhet e ditur se tashmë janë arrestuar 12 aktivistë të kësaj lëvizjeje, të cilët për momentin gjenden për kurim në Urgjencën e Spitalit të Prishtinës.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›