PS e Fierit nis përgatitjet për protestat
Më 25 shkurt pritet tubimi i parë në këtë qark
Pavarësisht rezultatit të negociatave në presidencë, selia rozë ka nisur seriozisht përgatitjet për protestën e madhe që duket se do të nisë nga rrethet për të ardhur sërish në Tiranë. Përgatitjet kanë nisur nga bastioni i PS-së, Qarku i Fierit, një ndër zonat më të kontestuara për rezultatin zgjedhor. Në këtë mënyrë, Partia Socialiste e ka vendosur që do të vijojë qëndrimin e saj duke protestuar. Madje, krerët lokalë të Qarkut të Fierit janë njoftuar për organizimin e protestave që thuhet se do të përshkallëzohen. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga dega e PS-së në Rrethin e Fierit, Lushnjës dhe qytezën e Patosit. Vendimi për protesta është ndërmarrë pavarësisht takimit të zhvilluar të shtunën në presidencë mes Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, dhe kreut të opozitës, Edi Rama.
Anëtarë të PS-së në Patos, Fier e Lushnjë, pohuan për gazetën “Shqip” se janë njoftuar që në datën 25 shkurt do të zhvillojnë protestë. Kanë qenë krerët e degëve lokale ata që kanë njoftuar së pari asambletë e organizatës në rreth dhe më pas informacioni për protestë është shpërndarë zinxhir te të gjithë anëtarët.
Anëtarësia e gjithë Qarku të Fierit është njoftuar që të mobilizohet për protestë më 25 shkurt. Detaje më tepër për protestën nuk jepen, por deklarohet se deri në javën e parë të muajit mars, do të jenë të shumta daljet në shesh të socialistëve. Anëtarësia e Qarkut të Fierit është njoftuar edhe për një protestë të madhe në Tiranë përpara Kryeministrisë. Njoftimi i anëtarësisë është kryer gjatë pasdites së premte dhe paradites së shtunë, pikërisht gjatë orëve të fundit të paratakimit mes Ramës dhe Berishës. është i paramenduar ndërsa degët lokale po kryejnë njoftimin për një qëndresë të fortë me protesta. Lidhur me takimin e së shtunës, krerët lokalë të PS-së janë shprehur pro vendimit të kryesisë së kësaj partie në shkallë vendi, e cila shprehet kundër hyrjes në Parlament nëse nuk hapen kutitë e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit të shkuar.
Ndërkaq, edhe kryetari socialist, Edi Rama, ka bërë me dije se nëse dështojnë negociatat dhe aty nuk arrihet një marrëveshje, kjo parti do të vijojë bojkotin dhe protestat. Rama ka shpjeguar se pikërisht për shkak të këtij dialogu, selia rozë nuk ka nxituar që të japë një datë konkrete apo itinerar të protestave, në mënyrë që të mos ndikojë tek ecuria e bisedimeve.
“Bojkoti vazhdon dhe nuk do të ndalet për aq kohë sa nuk do të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Vetëm transparenca e rikthen PS-në në Kuvend, ndërsa kutitë e mbyllura do ta rinxjerrin popullin në rrugë. Të hapen kutitë për t’i dhënë fund bojkotit”, është në fakt qëndrimi zyrtar i selisë rozë.
Para takimit në presidencë, Rama ka udhëtuar drejt Strasburgut, ku ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme me personalitete të majta e ku ka marrë mbështetjen për negociatat. Por pavarësisht kësaj, Rama ka bërë më dije se PS nuk bën asnjë hap mbrapa pa u plotësuar kushtet e saj.
#