E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit, pezull procesi për 3 mijë persona

04/05/2009  Ndregjoni: Papërgjegjshmëri e Ministrisë së Financave dhe asaj të Drejtësisë

Ish-të përndjekurit politikë janë të pakënaqur me ecurinë e procesit për ndarjen e dëmshpërblimit. Hartimi i listës së dytë për 3 mijë persona që duhet të përfitonin nga fondet e vendosura në dispozicion nga buxheti i shtetit, jo vetëm që ka mbetur pezull, por edhe përfitimet për 1 400 ish-të përndjekurit e identifikuar nuk janë ndarë akoma. Besim Ndregjoni, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, tregon se pakënaqësitë sa vijnë e shtohen në radhët e përfituesve të dëmshpërblimit. Shkak janë bërë papërgjegjshmëria e organeve përgjegjëse të drejtpërdrejta në këtë proces.

Pezullimi

Që prej muajit mars u deklarua se ish-të përndjekurit në listën e parë mund të përfitojnë shumën e përcaktuar nga Ministria e Financave, duke hapur një llogari në tetë prej bankave të nivelit të dytë, të njoftuara nga ky dikaster. Por zoti Ndregjoni shprehet se për këtë çështje nuk ka asnjë lëvizje. “Jo vetëm që nuk ka asgjë të re për emrat e rinj, por nuk është plotësuar as ndarja e dëmshpërblimit për 1 400 personat e parë. Ka një papërgjegjshmëri të lartë në këtë proces. Njerëzit e kanë emrin në listë dhe nuk mund të tërheqin të hollat. Nuk është problem fondesh mendoj, sepse fondi është bërë publik. Por ka një mungesë të theksuar papërgjegjshmërie nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë”, - theksoi Ndregjoni, duke bërë thirrje këtyre zyrtarëve që të mos përfitojnë nga toleranca e kësaj kategorie që ligji i ka bërë përfitues me të drejta të plota. Në buxhetin e këtij viti janë parashikuar rreth 1 miliard lekë të reja për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, bashkë me fondin e vitit të kaluar. Sipas Ndregjonit, veç kësaj, problem është edhe fakti se 4 mijë familje që prej 18 vjetësh kërkojnë eshtrat e njerëzve të tyre dhe për këtë çështje nuk është bërë asgjë konkrete ende.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›