E Diel, 1 Nëntor 2026

Në maj tregti pa barriera doganore me Maqedoninë

04/03/2009  Forumi i biznesit konkretizon marrëveshjen mes dy vendeve

Shqipëria dhe Maqedonia do të hapin tregjet e tyre për prodhimet bujqësore. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, dhe homologu i tij maqedonas, Fatmir Besimi, bën të ditur në një forum biznesi iniciativën që do të marrë formë në maj të këtij viti. Kjo bëhet akoma edhe më e domosdoshme në kushtet e një krize, efektet e të cilës po i ndjen natyrisht gjithë rajoni i Ballkanit.

Marrëveshja

Në kushtet e hapjes tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik rajonal, sipas ministrit të Ekonomisë, bilanci i zbatimit të marrëveshjeve të tregtisë dhe lirë dhe CEFTA-s, është pozitiv. “Në kuadrin e zbatimit të CEFTA-s, marrëdhëniet tona tregtare kanë shënuar rekorde pozitive duke e renditur Maqedoninë si partner të rëndësishëm në tregtinë rajonale. Mendoj se qeveritë tona kanë treguar jo vetëm vullnetin, por edhe urtësinë e nevojshme që këtë hap të madh në krijimin e këtij tregu të përbashkët dhe bashkimit doganor brenda rajonit tonë të Ballkanit e bëjmë dhe në një moment të duhur, që është momenti i krizës së përgjithshme globale”, - u shpreh Genc Ruli. Heqja e barrierave doganore mes shkëmbimeve tregtare do të sjellin zhvillime të reja në infrastrukturë. “Ky hap krijon mundësi për një bashkëpunim më të mirë ekonomik, për një konkurrencë më të shëndoshë dhe ata që do të përfitojnë më shumë do të jenë qytetarët e të dyja vendeve, konsumatorët, të cilët do të marrin mallra më të mira dhe më të lira”, - tha Fatmir Besimi, ministri i Ekonomisë së Maqedonisë. Dy vendet tona në mbështetje të nenit 40 të marrëveshjes CEFTA 2006, si palë të përfshira në këtë marrëveshje janë të detyruara të negociojnë liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë së produkteve bujqësore, brenda muajit maj të vitit 2009. “Të shfrytëzohen dhe mundësitë e porteve siç janë ato ekzistuese në Shqipëri ose projektet e reja që të mund të bëjmë tregti dhe me vende të tjera të botës”, - tha ministri i Maqedonisë.

Komuniteti i biznesit

Edhe komuniteti i biznesit është shprehur pro kësaj iniciative, që do të sjellë çmime më të lira për konsumatorët. “Dhoma e Tregtisë është e gatshme të ofrojë të gjitha resurset e saj për nxitjen e çdo iniciative që do t’i kontribuojë këtij qëllimi”, - tha Gjokë Uldedaj, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë. Ndërsa, ministri Genc Ruli theksoi se volumi i përgjithshëm i shkëmbimeve tregtare me Maqedoninë për vitin 2008 arriti në vlerën 105 milionë euro. “Eksportet shqiptare drejt Maqedonisë mbulojnë rreth 21 për qind të totalit të eksporteve në grupin e vendeve të CEFTA-s duke shënuar një rritje prej 47 për qind ndaj vitit 2007. Importet nga Maqedonia gjithashtu kanë rezultuar me rritje prej 33 për qind duke zënë mbi 26.7 për qind të importeve brenda grupit të CEFTA-s”, - tha ministri Ruli. Duke shprehur planet për kthimin e vendit në pritës të investimeve vendase dhe të huaja, Ruli theksoi se Qeveria po zbaton një sërë reformash, si ajo rregullatore, ku thelbi i masave është reduktimi i barrierave administrative dhe kostove të biznesit.

Kriza

Sipas ministrit Ruli, ka ende punë për të bërë në përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve sidomos në kushtet e krizës. “Rajoni i Ballkanit nëse nuk është i prekur plotësisht, është i afektuar nga kriza ekonomike globale. Që do të thotë se ka vend për angazhime serioze nga të dy palët qeveri-biznes në përballimin e kësaj krize, e cila ashpërson më shumë konkurrencën e tregjeve”, - tha ministri i Ekonomisë.

Investimet

“Marrëveshjet CEFTA që janë në fazën e implementimit është arritja dhe ndërmarrja jonë më e madhe në drejtim të integrimit të ekonomisë sonë me atë rajonale”, - tha Ruli. Sipas tij, implementimi i marrëveshjes do të sjellë humbjen e konceptit “ekonomi e vogël”, aq më tepër kur sot qeveria po delegon rreth 10% të PBB-së në investimin e infrastrukturës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›