E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtari i Apelit Vlorë padit KLD-në

Sokol Ngresi kërkon në Gjykatën e Tiranës të paguhet për periudhën maj 2008-qershor 2009

Gjyqtari i Apelit Vlorë, Sokol Ngresi, ka paditur Këshillin e Lartë të Drejtësisë, gjykatën ku punon si dhe zyrën e administrimit të buxhetit gjyqësor për pagën e munguar gjatë periudhës maj 2008 deri në qershor të vitit 2009. Në këtë periudhë, gjyqtari ka qenë i “ngrirë” për shkak të një vendimi të KLD-së për shkarkimin e tij, por pas një vendimi të Gjykatës së Lartë ai është rikthyer në vendin e punës ku ka qenë para shkarkimit dhe si pasojë i ka lindur e drejta të kërkojë edhe fitimin e munguar gjatë kësaj periudhe. çështja mban numrin 9577 në Gjykatën e Tiranës dhe të paditur janë tre institucionet e larta të gjyqësorit në Shqipëri. Objekti i padisë është “Detyrim pagimi i pagës së gjyqtarit për periudhën 01.05.2008-14.06.2009”. Pas regjistrimit të padisë, administrata e Gjykatës së Tiranës e ka hedhur në short dhe sipas përzgjedhjes elektronike ka rezultuar se gjyqtarja që do të gjykojë këtë padi është Mimoza Kajo. Tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Vlorë janë shkarkuar nga KLD-ja, pasi kishin gjykuar një çështje në muajin dhjetor të vitit 2005. Ata e dërguan çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila më 25 qershor të vitit 2009 vendosi në favor të gjyqtarëve të shkarkuar duke i rikthyer në vendet e punës ku kanë qenë më parë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›