E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në familje dhe trafikimi probleme shqetësues

29/05/2009  “Amnesty International” publikon raportin për të drejtat e njeriut në Shqipëri

AI thotë se mbi 18% e popullsisë jeton nën nivelit kombëtar të varfërisë

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Amnesty International” në raportin e saj të fundit për vitin 2008 shprehet me tone kritike mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri. Që në fillim të raportit, kur bëhet një pasqyrim i problemeve të trajtuara, thuhet se dhuna në familje është shtrirë trafikimi i grave dhe fëmijëve për ushtrim prostitucioni të forcuar ose forma të tjera të shfrytëzimit vazhdon. Në kapitullin e parë thuhet se ka pasur tregues të torturave dhe keqtrajtime të tjera në rajonet e policisë dhe në burgje. Organizata thekson në këtë raport se niveli i papunësisë mbetet i lartë me gjithë progresin e vazhdueshëm ekonomik. Në raport thuhet se mbi 18% të popullsisë jeton nën nivelit kombëtar të varfërisë, prej 2 dollarë në ditë. Kjo pjesë e popullsisë, sipas “Amnesty International” ka vuajtur edhe nga aksesi i kufizuar për arsimin, ujë dhe kujdesin shëndetësor dhe social. “Amnesty International” ndalet edhe në hetimet që po bëhen për tragjedinë e Gërdecit, duke pasqyruar ngjarjen ku gjetën vdekjen 26 persona, mbi 300 të tjerë u plagosën dhe u shkatërruar qindra shtëpi. Raporti thotë se kanë nisur hetimet dhe janë ngritur dyshimet për korrupsion dhe biznes jo të rregullt armësh. Në raport përmendet edhe gjyqi i hapur ndaj katër ish-oficerëve të Shërbimit Informativ Kombëtar, të cilët janë akuzuar për rrëmbim dhe tortura me pasoja serioze të tre personave në vitin 1995, ku fati i njërit prej viktimave, Remzi Hoxhës, mbetet i panjohur. Në raportin e “Amnesty International” flitet për përhapjen e dhunës në familje, ku mendohet se preket një në tri gra. Në këtë kapitull thuhet se në nëntë muajt e parë të vitit 2008 policia regjistroi 612 incidente të dhunës në familje, megjithëse shumë të tjera mendohet se nuk janë raportuar. Autoritetet morën masa për të rritur mbrojtjen ndaj vikamave, ku pjesa më e madhe ishin gra. Në të flitet me tone kritike për trafikimin e qenieve njerëzore. “Gra dhe vajza vazhdojnë të trafikohen për ushtrim prostitucioni të detyruar dhe fëmijët shfrytëzohen si lypës, përgjithësisht në Greqi dhe Itali. Mbrojtja e viktimave mbetet e dobët dhe policia në shumicën e rasteve mbështetet te vetë viktimat për të raportuar trafikimin”, - thuhet në raportin e “Amnesty International”. Organizata prestigjioze për mbrojtjen e të drejtave të njeriut mbetet kritike dhe evidenton raste të torturave në burgje. Po ashtu raporti shprehet kritik edhe për shkeljen e së drejtës së jetimëve për garantimin një shtëpie, pasi ato rriten e mbushin moshën 18-vjeçare. “Amnesty International” thotë se e drejta e strehimit nuk sigurohet as për mijëra të tjerë të deklaruar si të pastrehë.

Kushtet në burgje

Raporti shprehet kritik për disa raste të kushteve ku mbahen të burgosurit. Kujdesi mjekësor ishte i papërshtatshëm dhe të burgosurit e sëmurë mendorë përgjithësisht nuk ishin të ndarë nga të tjerët, si dhe merrnin pak ose aspak trajtim të specializuar. Sipas raportit, të burgosurit shpeshherë qëndronin në rajonet e policisë, kushtet e të cilave përgjithësisht ishin shumë të varfra.

Ndikimet e krizës

Duke iu referuar më pas gjendjes së të drejtave të njeriut në mbarë botën, në raportin e organizatës prestigjioze thuhet se për shkak të krizës ekonomike globale janë vërejtur shkelje të të drejtave të njeriut dhe është tërhequr vëmendja nga abuzimet. Sipas këtij raporti, kriza globale është një krizë shpërthyese e të drejtave të njeriut, një kombinim problemesh sociale ekonomike dhe politike, që ka krijuar një bombë me sahat të abuzimeve të të drejtave të njeriut. Shtimit të të papunëve u shtohet rritja e ksenofobisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›