E Diel, 1 Nëntor 2026

“Targat e fundit” ndalon 11 të dyshuar, përfundon me 4 të pandehur në gjykatë

29/05/2009  Task-Forca ka mbyllur hetimet për falsifikatorët e targave dhe patentave

TIRANE- Njësia hetimore Task-Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës ka përfunduar procesin hetimor ndaj katër të pandehurve, të cilët akuzohen së në bashkëpunim me njëri-tjetrin pajisnin qytetarët me dokumente false për targimin e automjeteve. Të pandehurit e procedimit penal me nr 1338, janë shtetasit Ela Shano bashkëpronare e autoshkollës “Majesteik”, Liman Doka sekser falsifikues dokumentesh, Vladimir Dervishi, instruktor i autoshkollës “Majestik” dhe Ylli Hasani komisioner seksionit të patentave. Për gati 5 muaj e gjysmë hetime, specialistët e njësisë Task-Forcë kanë faktuar me prova konkrete se të sipërcituarit gjatë aktivitetit të tyre të paligjshëm kanë konsumuar plotësisht elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv” në sektorin privat e kryer në bashkëpunim, “Korrupsionit aktiv” i personave që ushtrojnë funksione publike, “falsifikimit të dokumenteve”, si dhe të “prodhimit dhe mbajtjes së mjeteve për falsifikim”. Mësohet se katër të pandehurit falsifikonin dokumentet dhe me anë të ryshfetit pajisnin me leje drejtimi persona, që nuk e meritonin ose jepnin dokumente për makina me doganë false. Përfitimi i të arrestuarve nga nxjerrja e një patente shkonte deri 60–75 mijë lekë të reja. Për një targë mjeti false apo një targë me katër shifra të njëjta pagesa varionte nga 40 mijë lekë deri në një mijë euro. Mirëpo përveç këtyre veprimeve arbitrare katër të pandehurit kryenin kundrejt një shume financiare edhe pajisjen e aplikantëve me patenta. Hetimi ka provuar se pjesës më të madhe të kursantëve për patenta që shkonin pranë autoshkollës “Majestik” u thuhej se komisioni kërkonte para dhe këtë punë sipas policisë e kryente Ela Shano, bashkëpronare e autoshkollës. Gjithashtu, ajo kryente edhe përgatitjen e dosjeve për secilin kursant duke falsifikuar dokumentet. Ndërkaq arrestimi i të pandehurve u kurorëzua gjatë operacionit policor “Targa e fundit” ku ranë në rrjetë 11 persona, shumë prej të cilëve punonjës pranë Drejtorisë rajonale të Transportit Rrugor në Tiranë si dhe pronarë në autoshkollën “Majestik”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›