Dhunohet protestuesi në sy të qytetarëve dhe fëmijëve
12/07/2011 DURRES- Shefi i shërbimit zjarrfikës në Durrës, Ethem Bardhi, ka detyruar me forcë ndërprerjen e një proteste të një ish-punonjësi të PMNZSH së Durrësit, veprim që ka tërhequr vëmendjen e publikut të shumtë që kalonin asokohe para godinës së qarkut e prefekturës. Kalimtarë të shumtë janë bërë dëshmitarë se si një qytetar keqtrajtohet nga ish shefi i tij. Tetë muaj pasi është larguar nga puna për shkak të moskalimit të testit të organizuar nga strukturat e shërbimit zjarrfikës, shtetasi Zija Shehu ka marrë tre fëmijët, njërin të sëmurë, invalid, dhe ka protestuar në derën e prefekturës. Për shkak se fëmija e tij më i rritur është i sëmurë ka marrë edhe një shtrojë e jastëk, si dhe një bidon me ujë. Shehu është ulur në shkallën e epërme të prefekturës, duke mos bllokuar hyrjet e daljet në godinë, ndërsa veç djalit të shtrirë me të kanë qenë edhe dy fëmijët e tij që kanë qëndruar në këmbë para të atit. Ky shtetas ka 24 vite punë në repartin e zjarrfikëses, ndërsa largimi nga puna e ka shtyrë atë të kërkojë ndihmë dhe shpjegime gjithandej. Ethem Bardhi, shef i PMNZSH, nuk ka kursyer as qortimet deri edhe shkeljen e etikës në komunikim me qytetarin protestues dhe median e pranishme, e cila e ka ndjekur të gjithë skenën deri në fund. I larguari nga puna është përpjekur të qetësojë fëmijët e tij, të cilët janë tronditur nga mënyra se si ka reaguar Ethem Bardhi. Burime nga brenda qarkut thonë se Bardhi do të jap llogari për veprimin e bërë dhe mënyrë e tij e sjelljes pritet që fillimisht t’i sjellë telashe në punë e më pas edhe me drejtësinë nëse qytetari do të bëjë padi. Xh.