E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibër, shpëton lehona së bashku me foshnjën

Kishte nevojë për ndihmë mjekësore, por bllokohet nga moti i keq
Shpëtohet lehona së bashku me foshnjën e saj. Ngjarja ka ndodhur ditën e shtunë në Lurë të Dibrës. Gjithçka është bërë e mundur pas ndërhyrjes së shpejtë të autoriteteve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe njësisë së helikopterëve pranë këtij institucioni, që brenda një kohe rekord kanë kryer transportin e të sapolindurit dhe lehonës pranë maternitetit të Tiranës “Koço Glozheni”, ku aktualisht po i ofrohet një shërbim më i specializuar. Ndërkohë që ndërhyrja është ndjekur nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
Një foshnje e sapolindur rrezikonte jetën, ndërkohë që mjekët e spitalit të Peshkopisë e kishin të pamundur të ofronin ndihmë, për shkak të motit të keq dhe rrugëve të bllokuara.
Paraditja e së shtunës ka qenë jo pak e vështirë për pjesëtarët e familjes Doçi. E reja Enkelejda ka sjellë në jetë fëmijën e saj të dytë. Lindja është kryer në kushtet e shtëpisë me ndihmën e mjekut të familjes. “Bëhej fjalë për një lindje të parakohshme dhe fëmija ka qenë prematur”, rrëfen ekipi i mjekëve obstetër pranë maternitetit “Koço Glozheni”, që vazhdojnë të mbajnë në vëzhgim gjendjen shëndetësore të lehonës dhe fëmijës. Në këto rrethana jashtë kushteve të inkubatorit, jeta e foshnjës vihej në rrezik. Ai është një fëmijë që ka lindur 1 kg 500 gramë, i seksit mashkull. Mjeku i familjes ka kontaktuar me spitalin e Peshkopisë, por për shkak të kushteve të vështira klimaterike dhe bllokimit të rrugëve nga dëbora, ka qenë e pamundur që ambulanca e spitalit të mbërrinte në krahinën e thellë të Lurës. Rreth orës 10.00 të mëngjesit, një telefonatë ka mbërritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Drejtori i spitalit të Peshkopisë njoftonte për një rast të veçantë, ku rrezikonin dy jetë, një bebe e sapolindur dhe lehona që kishte përballuar një lindje të parakohshme. Menjëherë një helikopter dhe dy pilotë i drejtuar nga vetë shefi i njësisë, Berti Xhafa, është nisur drejt vendngjarjes. Ndërkohë, kreu i drejtorisë spitalore Petro Mersini, i është bashkuar ekipit të pilotëve dhe mjekëve, që janë nisur drejt Lurës. “është pjesë e të përditshmes sonë. Reagimi ka qenë shumë i shpejtë nga të gjitha palët dhe pse kishim një element si moti i vështirë që ishte në disfavorin tonë. Pilotëve u është dashur të udhëtojnë në mjegull dhe gjatë uljes së helikopterit pranë Qendrës Shëndetësore të Lurës reshjet e dëborës vazhdonin”, tregon Mersini, që përsërit për të disatën herë se “rolin më të vështirë në këtë ngjarje e kanë pasur drejtuesit e helikopterit”. Aktualisht, gruaja ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore pranë maternitetit, ku i është ofruar jo vetëm shërbim shëndetësor, por dhe asistencë psikologjike. Ndërkohë që shëndeti i të sapolindurit po ndiqet nga specialistët neonatë pranë këtij institucioni.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›