E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e mediave, vetëm konferenca dhe pritje

Ceremonitë

Dje, në Shqipëri është zhvilluar në një atmosferë ceremoniale, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias. Jo organizim nga gazetarët, por pritje dhe deklarata nga politikanët dhe ndërkombëtarët. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka zhvilluar një tryezë diskutimi për lirinë e medias në vend. Shefi i Departamentit të Demokratizimit, në prezencën e OSBE-së, Hartmut Purner, tha pas takimit me përfaqësues të shtypit shqiptar, se në Shqipëri presioni i politikanëve, por edhe i biznesit ndaj medias, është problematik. “Sot u përmend që ka interesa në fusha të ndryshme të politikës me median dhe këto interesa politike pengojnë punën e pavarur të gazetarëve. U diskutua se ka shumë presion që ushtrohet ndaj gazetarëve dhe medias qoftë nga politika dhe biznesi, dhe ky është një problem për shtypin. Ka nevojë të zhvillohet dhe përmirësohet situata dhe liria e medias, sepse kjo liri është një faktor kritik për të pasur qëndrueshmëri në Shqipëri”, u shpreh Purner. Ndërkaq, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka zhvilluar një pritje të posaçme me gazetarët në ditën e tyre. Presidenti ka theksuar se kemi një media më të pjekur dhe më profesionale, pas 20 viteve tranzicion. Në pritjen e organizuar në Presidencë, Topi foli për një pushtet të katërt që, ndryshe nga politika, ka luksin e të shprehurit të drejtpërdrejtë, por që duhet të krijojë një distancë më të madhe me këtë të fundit. “Aktorët politikë duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e pavarësisë së gazetarëve dhe të mediave, për faktin se një shoqëri e emancipuar dhe demokratike ndërtohet vetëm duke i dhënë përparësi pavarësisë së sistemit mediatik nga politika, një pavarësi maksimale të mundshme”, tha Topi. Ndërkaq, Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, deklaroi se “mediat kanë dhe do të kenë te kjo qeveri dhe te ky Kryeministër respektues të plotë të lirisë dhe pavarësisë së tyre. Unë jam krenar që kjo mazhorancë në mandatin e saj të dytë dhe gjatë mandatit të parë, nuk lejoi qoftë edhe një proces të vetëm gjyqësor nga administrata drejt gazetarëve. Pra, në Shqipëri mori fund farsa zyrtare e gjyqësorit kundër mediave të lira”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›