E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreshnik Ibrahimi Ju rrëfej Olsin e “Portokallisë”

07/12/2008  Më së shumti njihet si Olsi tjetër i “Big Brother”, në “Portokalli”. Megjithatë, aktori i ri nga Kosova duket se nuk ngjan aq shumë me të shumëpërfolurin Olsi.

Ende e ka të vështirë të ndihet si në shtëpinë e vet në Tiranë, por është shumë i kënaqur që interpreton në një skenë si “Portokallia”.

Vetëm 20 vjeç, Kreshnik Ibrahimi ka arritur të krijojë një profil të vetin si aktor i humorit.

I regjistruar në Akademinë e Arteve në Kosovë, pret dita-ditës të bëhet student i aktrimit në Akademinë e Tiranës, ndërsa “Portokallinë” e cilëson si një shkollë më vete.

Pasaporta

Emri: Kreshnik Ibrahimi

Mosha: 20 vjeç

Vendlindja: Gjakovë

Tipare që njeh te vetja: dëshira për të punuar shumë, ambicia e madhe

Gjendja aktuale: “klandestin” në Shqipëri

Ambicia më e madhe: të prekë Hollivudin

Si lindi ideja për të interpretuar Olsin? Çfarë ju ngacmoi te ky personazh?

Në fakt, e kam imituar dy apo tri herë më parë në Kosovë, në një lloj emisioni ‘stand-up, komedi’, ku kam punuar për dy vjet, por në sekuenca të shkurtra. Olsi ka qenë një nga banorët më të përfolur të “Big Brother” gjatë gjithë kohës. E pashë të arsyeshme, pasi publiku mund të kapet nga kërshëria, nëse sillet një personazh i tillë.

Çfarë gjetët interesante në këtë figurë. Mund të flisni për mënyrën si keni punuar me detajet?

E rëndësishme për një personazh është që atij t’i japësh shpirt. Dhe kur them këtë, të kapësh edhe detajet më të vogla të atij personazhi, sigurisht duke e studiuar. Këtu është edhe e bukura e imitimit. Unë i kam dhënë shumë rëndësi zërit, gjuhës dhe sidomos lëvizjeve të Olsit, ecjes karakteristike. Por edhe detajeve të tjera të vogla, si për shembull mjekrës.

Ka qenë e vështirë të sillni Olsin e vërtetë?

Po, sidomos për sa i përket gjuhës. Një personazhi mund t’i afrohesh sipërfaqësisht, por ta kapësh në detaje është e vështirë, do shumë punë, shumë kohë; të shikohet në çdo rast që të kapet.

Duke sjellë kaq shpesh një figurë, ju krijohet përshtypja sikur në fakt tashmë është bërë pjesë juaja? E kapni veten në befasi në ndonjë rast, duke u shprehur apo sjellë si Olsi?

Jam njeri që dua të dalloj punën nga jeta private. Në skenë duam të futem te ky personazh, në jetën e përditshme jo. Ndoshta kur jam me shoqërinë, them një fjalë a dy, por jo shumë shpesh.

Mendoni se ngjani ndopak me Olsin?

Nuk e di. Në të përditshmen time kam një jetë tjetër nga ajo çfarë kam dëgjuar për Olsin. Jam njeri që nuk preferoj të dal shumë, punoj shumë dhe ndoshta i ngjaj pak vetëm për sa u përket femrave, jo në të tjera gjëra.

Atëherë, keni provuar të keni më shumë se një lidhje njëkohësisht, domethënë dy të dashura paralele?

Aktualisht kam!

Po “noçen” tënde e ke gjetur?

Një “noçe” që të më bëjë për vete nuk e kam akoma. Por një shoqe e kam, një ose dy (qesh).

Pas shfaqjes në “Portokalli”, keni qenë në kontakt me Olsin e vërtetë. Si e ka pritur interpretimin nga ana juaj?

E ka pritur shumë mirë. Faktikisht takimi i parë me Olsin ka qenë para dy-tri javësh në emisionin “Wake up” në “Top Channel”. Për të ishe një befasi. Unë isha veshur dhe sillesha si ai. U takuam drejtpërdrejt. Realisht kisha shumë emocion, se nuk e dija reagimin e tij. Por u befasova me atë çfarë ai shprehu për mua. Më ka bërë shumë komplimente. Mendoj se tani do ta sjell më mirë personazhin, pasi ai nuk do të fyhet. Pas emisionit pimë kafe, shkëmbyem numrat e telefonit. U ndieva shumë mirë. Më pas e kam takuar dhe dy-tri herë. Më ka pëlqyer si karakter, si njeri. Që kur e kam takuar ka ndryshuar mendimi im për të. Faktikisht është tjetër njeri. Kam menduar se ishte më i ashpër, më agresiv, do të reagojë keq, pasi kemi prekur ca gjëra që mbase nuk i kanë pëlqyer. Kjo më ka bërë konfuz në takimin me të, por kanë ndryshuar shumë gjëra që atëherë.

Megjithatë, Olsi nuk është personazhi i parë që ju keni sjellë në skenën e “Portokallisë”...

Po. Në “Portokalli” kam interpretuar edhe personazhe të tjera, siç është, për shembull, imitimi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, një ndër figurat që përflitet më shumë në Kosovë, një figurë karakteristike për publikun atje. Sa herë kam imituar atë rol, kam pasur reagime shumë të mira. Një tjetër rol i vogël ka qenë interpretimi krah Agron Llakajt, ku kam sjellë “Saliun e Ri”, “Sali Berisha Junior”. Por kam interpretuar edhe një fshatar të Kosovës, që ka problem me pakicat serbe. Megjithatë, mendoj se do të arrijmë të nxjerrim të tjera personazhe. Ajo që ka rëndësi për mua është se po mundohem të kap të folura karakteristike. Të kap mentalitetin e njerëzve të Shqipërisë dhe të mund të sjell çfarë duan ata saktësisht.

Dua të falënderoj Agron Llakajn dhe Altin Bashën, se, nëse kam bërë ndonjë rol të mirë, e kam bërë falë ndihmës së tyre. Nuk e kam pritur një gjë të tillë, por kam takuar njerëz që më kanë përkrahur.

Thatë se po përpiqeni të njihni mentalitetin shqiptar. Me aq sa keni mundur ta njihni deri tani, ç’mund të thoni për këtë mentalitet, nëse e krahasoni me atë të Kosovës?

Faktikisht humori këtu është më ndryshe, batutat janë të tjera, pra ka ndryshim. Për këtë dua të kap gjëra, situata, për të sjellë çfarë kërkon publiku këtu. Nëse arrin të kapësh këtë, një personazh apo një të folur karakteristike të Shqipërisë, atëherë ke sukses.

Humori që bëhet në Shqipëri është shumë i mirë, është humor më i mençur, në stilin anglez. Ka ndryshim, pasi në Kosovë zakonisht në humor përdoren gjërat lokale dhe vetëm shprehje të përditshmërisë. Faktikisht, përdoret vetëm një humor gjakovar, ca batuta që i kupton një qytet.

Keni formësuar një sërë personazhesh, megjithatë mendoj se jo çdo personazh ngjit dhe pëlqehet në të njëjtën mënyrë. Ju vetë cilin prej tyre keni më për zemër?

Nuk mund të veçoj. Kur punoj, çdo personazh e bëj me dëshirën më të madhe. Duhet të futesh brenda atij personazhi që të dalë sa më origjinal. Kur je në skenë, duhet të dalësh nga vetja e të futesh te personazhi, që mënyrë që publiku të mendojë se je vërtet ai. Duhet ta marrësh me shpirt, ta përvetësosh, të jetë pjesë jotja. Gjatë kohës që jam në skenë asnjëherë nuk mendoj se jam Kreshniku.

Le të shkojmë pak më parë në kohë, në fillimet tuaja. Pse vendosët të bëheshit aktor?

Nuk e di. Thjesht ndodhi, mbase ishte brenda meje. Edhe në Kosovë kam qenë rast i rrallë. 17 vjeç kam interpretuar në një emision shumë të madh në Kosovë dhe për dy vjet radhazi kam lënë prapa një karrierë si djalë i ri, por që kam bërë përpara. Kur i shikon këto gjëra, bindesh se mbase ke bërë diçka. Me ardhjen time këtu në “Portokalli”, publiku në Kosovë mendoj se ka pritur të shohë çfarë do të bëja, dhe besoj nuk ka dyshuar për ato që do të sjell në skenë.

Mos ndoshta aktrimi ka të bëjë me një traditë apo përvojë familjare? Mund të flisni pak për veten përtej skenës?

Babai më ka lënë në moshën 10-vjeçare, kur kam qenë refugjat në Shqipëri. Jam fëmija i dytë, kam vetëm një vëlla tjetër më të madh. Babai im për disa vjet ka qenë në një shoqëri muzikore në Gjakovë dhe e ka pasur shumë për zemër muzikën; u ka rënë disa veglave muzikore dhe ka qenë një nga muzikantët më të shquar të qytetit. Mendoj se anën artistike e kam trashëguar nga babi.

Babai juaj ishte muzikant, ju keni lidhje me muzikën?

Muzikën e dua shumë, por më shumë preferoj aktrimin. Megjithatë, janë dy gjëra që nuk mund të ndahen. Kam provuar të këndoj dhe kam dalë me sukses. Kam sjellë dy këngë rep në Kosovë nën personazhin e Ramushit. Këto këngë janë nga videot më të ndjekura në internet në Kosovë, pra janë pritur shumë mirë nga publiku. Kam pasur bashkëpunim me “Tingulli 3NT”, personalisht me Getoarin dhe me Bleron; ata që më kanë ofruar instrumentale dhe i kam shndërruar në parodi.

Së fundi, si do ta vlerësonit hapjen e “Portokallisë” ndaj artistëve kosovarë?

“Portokallia” dhe “Top Channel” në përgjithësi shihen shumë në Kosovë. Janë harruar thuajse fare televizionet e tjera të Kosovës, që mund të ndiqen mbase vetëm për edicionin e lajmeve. Hapja e “Portokallisë” për aktorët e Kosovës është shumë e mirë. Ka pasur tentime të shumë aktorëve që kanë aktruar në këtë skenë, por performanca e tyre shumë e shkurtër. Nuk e di, mbase nuk kanë ditur të ballafaqohen me profesionalizëm me këtë punë që të ketë dinamikë të madhe. Ndoshta për këtë nuk kanë mundur, se “Portokallia” i ka hapur dyert gjithmonë. Kur u pranova këtu, i kam thënë vetes: “Do të punoj e ndihem si ata”. Kjo më ka bërë të mos kem dilema të tipit: “A do të kuptohem, do të kem përkrahje, që të mund të ec mirë?”. Kam pasur përkrahje, por puna gjithmonë mbetet imja.

Bisedoi: Blerina Goce

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›