E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motra e Lul Berishës: S’ka konflikte

07/01/2011  Dëshmia e Luljeta Berishës shkakton sherr mes avokatëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve

Dëshmitarja: Fjalët e Colit nuk qëndrojnë, vëllai im Luli s’ka pasur konflikte në Durrës

TIRANE-Motra e të pandehurit Lulzim Berisha ka dëshmuar dje në seancën gjyqësore kundër 15 personave të akuzuar si pjesëmarrës në organizatë kriminale, vrasje etj. Për rreth gjysmë ore Liljana Berisha me profesion juriste, u është përgjigjur para togave të zeza pyetjeve të avokatit mbrojtjes Ilia Ilia, si dhe prokurorëve Anton Martini dhe Behar Dibra. Motra e të dyshuarit si kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, ka pohuar në gjykatë se vëllai i saj nuk ka pasur me asnjë person konflikte, dëshmi kjo që ka sjellë reagimin e prokurorëve, të cilët e kanë pyetur lidhur me plagosjen e vëllait të saj në qendër të Durrësit. Pavarësisht debateve dhe zhurmës së krijuar në sallë mes avokatëve dhe prokurorëve, Luljeta Berisha ka vazhduar dëshminë e saj duke pohuar se i penduari Adriatik Coli ka qëndruar së bashku me Lulin dhe se gjatë periudhës kur ky i fundit ndërtonte vilën në zonën e Spitallës në qytetin e Durrësit, Coli interesohej për blerjen dhe transportimin e materialeve ndërtimore. Sipas dëshmitares, thëniet e të penduarit Coli, nuk qëndrojnë pasi vëllai i saj nuk ka kryer asnjë krim në qytetin e Durrësit. Herë pas here dëshmia e Luljeta Berishës është ndërprerë për shkak se prokurorët dhe avokatët janë përfshirë në debate të ashpra mes njëri-tjetrit, çka ka detyruar gjykatësin Gurali Brahimllari të ndajë palët. Pyetjes nëse i njihte shtetasit Marsel Sotiri dhe Zhuljeta Fetahut, dëshmitarja i është përgjigjur se kishte dëgjuar se këta ishin me origjinë nga Kosova, ndërsa për sa i përket origjinës së vëllait të saj Lulzim Berisha, Luljeta Berisha është shprehur se ai nuk është kosovar. E pyetur lidhur me vrasjen e shtetasit Marsel Sotiri, dëshmitarja ka pohuar se mbrëmjen e asaj dite Adriatik Coli e kishte marrë me makinë duke e çuar në banesën e shtetases Zhuljeta Fetahut. Pas disa minutash më pas Coli ka ardhur sërish me vëllain e saj Lulzim Berisha dhe shtetasit Indrit Taullain e Plarent Dervishaj. Gjatë dëshmisë së saj, Luljeta Berisha ka theksuar se gjatë vitit 1999 ajo ka qenë një punonjëse e thjeshtë dhe se banonte në një apartament një dhomë e një kuzhinë. Mirëpo kësaj deklarate ju kundërvunë përfaqësuesit e organit të akuzës, të cilët e pyetën dëshmitaren se si kishte mundësi që ajo në vitin 2000 të privatizonte ndërmarrjen e fermentimit me para në dorë. Kësaj pyetje dëshmitarja nuk ju përgjigj, pas ndërhyrjes së gjyqtarit Gurali Brahimllari, i cili vendosi të mos pranonte pyetjen e prokurorëve. Këta të fundit kanë reaguar ashpër duke debatuar mes gjyqtarëve, avokatëve dhe të pandehurit.

Debati në sallë

Debate të ashpra janë kryer mes prokurorëve dhe gjyqtarit Gurali Brahimllari, i cili vendosi të mos pranojë një pyetje të përfaqësuesve të akuzës. Palët u konfliktuan duke akuzuar njëri-tjetrin se po shkelnin ligjin, ndërkohë debati shoqërohej me të qeshurat e të pandehurve.

Tërheqja e vëmendjes

Gjatë debatit mes prokurorëve dhe gjyqtarit Gurali Brahimllari, ky i fundit ka pohuar se do njoftojë Prokuroren e Përgjithshme për tërheqjen e vëmendjes së prokurorëve, pasi sipas tij kanë thyer etikën profesionale gjatë përfaqësimit të akuzës në gjykatë.

Prokurorë-Avokatë

Gjatë seancës së djeshme debate ka pasur edhe mes prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës, të cilët kanë akuzuar Prokurorinë që ka manipuluar faktet dhe ekspertizat e armëve, ndërkohë që prokurorët kanë kundërsulmuar pohuar se avokatët ende s’kanë lexuar dosjen.

Shaban Berisha dëshmon në gjykatë

Gjyshi i Lulzim Berishës, nipi s’është strehuar në banesën time

Shaban Berisha, gjyshi i të pandehurit Lulzim Berisha që akuzohet nga Prokuroria për Krime të Rënda si drejtues i bandës së Durrësit, është paraqitur dje në sallën e gjyqit ku ka dhënë shpjegime nëse nipi i tij fshihej apo jo në banesën ku jetonte ai në fshatin Rrashbull të Durrësit. Dëshmitari i thirrur nga avokatët mbrojtës ka pohuar se i pandehuri Lulzim Berisha nuk është strehuar asnjëherë në banesën e tij dhe se s’ka ardhur në shtëpi me shokët. Gjatë dëshmisë dëshmitari pohoi se ai s’kishte qëndruar shumë në Shqipëri, pasi shkonte në Itali për të marrë mjekime se vuante nga sëmundja e dializës. Me dëshminë e Shaban Berishës, avokatët mbrojtës kërkojnë të hedhin poshtë dëshminë e të penduarit Adriatik Coli, i cili ka pohuar se Lul Berisha dhe disa të pandehur të tjerë strehoheshin në një banesë në Rrashbull, ku dhe bënin plan për të eliminuar fizikisht shtetasin Marsel Sotiri. Ky i fundit është ekzekutuar me breshëri automatiku, ndërkohë që si karrem është përdorur e dashura e të ndjerit Klodian Saliu.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›