E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret nënën e 3 fëmijëve, qëllon veten me armë

07/01/2011  Autori 53-vjeçar e qëlloi në gjendje të dehur për shkaqe xhelozie, tentoi vetëvrasjen

Krimi në familje ka ndëshkuar një nënë të tre fëmijëve, dy prej të cilëve të moshës 18 e 20 vjeç dhe i treti 14 vjeç, ndërsa autori i krimit ka tentuar të vetëvritet. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së enjtes në lagjen numër 8 të qytetit të Durrësit në një familje të ardhur nga Lezha teksa nga arma e zjarrit ka mbetur e vdekur shtetasja Bukurije Hoxha. Pas këtij krimi burri vrasës Agim Hoxha ka përfunduar në sallën e operimit pasi ka tentuar të vetëvritet, por ka marrë vetëm një plagë në bark. Paraprakisht mendohet se shkak i krimit të rëndë në banesën e çiftit është bërë xhelozia e bashkëshortit ndaj gruas, e cila punonte në një lokal privat, si dhe gjendja e tij e dehur.

Krimi

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të së enjtes në banesën e shtetasit Agim Hoxha. 53-vjeçari Hoxha është kthyer në orët e vona të natës në gjendje të dehur dhe ka debatuar për disa orë me të shoqen, e cila punonte në një dyqan buke si shitëse. Ata jetojnë prej disa vitesh në pjesën kodrinore të qytetit të Durrësit në zonën e quajtur “Ullishtet”. Çifti, sipas hetimeve, paraprakisht kishte konflikte, ndërsa në mesnatën e 5 janarit duke u gdhirë 6 janari burrë e grua janë grindur ashpër. Policia ka konfirmuar se shtetasi Agim Hoxha 53 vjeç ka qëlluar me armë automatike model 56 bashkëshorten e tij Bukurije Hoxha. 44-vjeçarja është vrarë me plumb në kokë dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa më pas autori i krimit ka tentuar të vrasë veten. Me të njëjtën armë Hoxha ka shtënë edhe ndaj vetes i mbërthyer nga kriza e vrasjes së gruas, por ndryshe nga viktima e tij, 53-vjeçari është plagosur duke i shpëtuar vdekjes. Në çastin e krimit në shtëpi kanë qenë edhe tre fëmijët e tyre, të cilët në kohën që prindërit janë grindur kanë qëndruar në dhomën tjetër. Ata madje janë bërë edhe dëshmitarët e parë të krimit, pasi kanë dëgjuar krismat e armës, ndërsa ndërhyrja e djalit të madh të shtëpisë ka qenë shumë e vonë. Policia është vënë në dijeni për vrasjen nga banorët e lagjes atyre pranë dhe së bashku me autoambulancën kanë shkuar në banesën e familjes Hoxha. Forca të shumta të uniformave blu kanë rrethuar banesën duke mos lejuar hyrjen e asnjë personi. Në kohën që kanë mbërritur efektivat e policisë gruaja kishte vdekur pasi kishte marrë dy plumba në kokë. Viktima ishte mbuluar në një pellg gjaku, ndërsa në të njëjtën dhomë qe edhe burri. 53-vjeçari pasi ka kryer vrasjen dhe në gjendje të rënduar psikike ka qëlluar edhe veten me plumb, por pasi është dërguar në spital është jashtë rrezikut për jetën. Familja Hoxha kishte rreth 10-12 vite që jetonte në Durrës. Ata janë shpërngulur nga Lezha dhe kanë ndërtuar një shtëpi në “Ullishten” e Durrësit, ndërkohë që babai i tre fëmijëve kishte nisur të pinte deri në gjendje të dehur në mënyrë të përsëritur. Kjo ishte bërë shkak për grindjen në shtëpi, e cila një ditë më parë ka përfunduar në krimin e rëndë. Burime policore thonë se djali i madh i tyre nuk ka ndërhyrë për të shuar grindjen me mendimin se prindërit do të pushonin siç edhe ndodhte shpesh. Ai madje nuk ka pasur dijeni se babai i fëmijëve kishte armë zjarri në shtëpi të mbajtur pa leje, ndërsa pasi ka dëgjuar krismën e automatikut ka nxituar, por gjithçka ka qenë e pamundur për të ndaluar tragjedinë. Autori i krimit Agim Hoxha vetëm pak minuta pasi ka qëlluar të shoqen ka vrarë edhe veten, ndërsa mjekët e Durrësit kanë pohuar se ai i ka shpëtuar vdekjes. Për të shmangur çdo të papritur policia e ka marrë nën kontroll shtëpinë e 53-vjeçarit, ndërkohë që vajza 14 vjeçe e tij është larguar në një banesë tek të afërmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›