E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet me thika dy herë radhazi, shpëton i riu

30/04/2009  Grindja mendohet për një vajzë, e cila “nuk duhet të ishte ngacmuar”

Sulmi i dytë, ndërsa po transportohej për në spital, pa dëme në organe

ELBASAN- Një 28-vjeçar kthehet në shënjestrën e sulmit me thika të një grupi të rinjsh, por ka shpëtuar mrekullisht nga vdekja. Ngjarja është regjistruar rreth orës 21.00 në qendër të lagjes “Skëndërbej” në qytetin e Elbasanit. Në të njëjtën orë është lajmëruar edhe policia e Elbasanit për një të plagosur me thikë në qendër të lagjes “Skëndërbej”. Burime zyrtare bëjnë të ditur se është lajmëruar plagosja e shtetasit Ervis Uruçi, 28 vjeç, lindur e banues në lagjen “Skëndërbej” i dënuar më parë për vjedhje. Sipas policisë, menjëherë në vendin e ngjarjes janë dërguar shërbimet policore dhe nga veprimet e pra hetimore është deklaruar se persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar për herë të dytë 28-vjeçarin e plagosur më parë me thikë në kohën që ky po transportohej për në spital. Zyrtarisht deklarohet se katër persona mbi një automjet tip Alfa ngjyrë gri me targa italiane i kanë zënë rrugën të plagosurit. Kanë zbritur nga aty dhe e kanë goditur në vazhdimësi shtetasin Ervis Uruçi me thikë. Personat janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes duke e lënë të gjakosur të riun. Kanë qenë efektivat që e kanë gjetur të plagosurin duke e transportuar për në spital. Mësohet se pasi është mjekuar fatmirësisht i riu nuk ka pasur dëmtime në organet jetike. Mjekët kanë deklaruar se gjendja e tij është normalizuar pas disa orësh dhe mund të konsiderohet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë agjentët po punojnë për të zbuluar autorët e kësaj ngjarjeje dhe kapjen e tyre. Prokuroria ka nisur hetimet për plagosje me dashje e kryer në bashkëpunim. I pyetur nga efektivat i dëmtuari nuk ka deklaruar asgjë mbi autorësinë e plagosjes dhe shkaqet. Ai u ka thënë policëve se nuk i njihte autorët e plagosjes së tij dhe po kështu nuk ka dashur të japë asnjë detaj mbi shkakun që ka sjellë këtë ngjarje. Por burime të tjera bëjnë të ditur se shkak i sherrit ka qenë një femër. Disa të rinj kanë debatuar në qendër të lagjes, pasi viktima dyshohet se ka ngacmuar një vajzë “që nuk duhej”. Në këtë sherr ai ka mbetur i goditur lehtë nga një thikë. Nga ku moment i riu është transportuar për në spital, por bllokohet nga një automjet ku dyshohet se ishin katër të rinj, shokë të autorit të parë të plagosjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›