E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, ndiqen penalisht 11 piromanë

02/09/2009  Zjarrvënësit janë kryesisht çobanë, djegin kullotat qëllimisht. U dogjën dhjetëra ha tokë

GJIROKASTËR - Prokuroria e Gjirokastrës ka çelur 11 dosje penale për zjarrvënie të qëllimshme në ngarkim të personave të ndryshëm, që dyshohen se janë përgjegjës. Burime nga organi i akuzës kanë konfirmuar të martën për gazetën “Metropol” se shumica e personave të ndjekur penalisht për zjarrvënie janë barinj, të cilët akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme në kullota dhe pyje në zonat e Lunxhërisë, Cepos, Odries dhe Picarit.

Zjarret

Një ndihmesë të madhe në denoncimin e rasteve të zjarrit ka dhënë policia e Gjirokastrës, e cila në shumë raste është treguar vigjilente jo vetëm për shuarjen e vatrave të zjarrit, por edhe për identifikimin e autorëve të zjarrvënieve. Nga rastet e denoncuara pesë prej tyre kanë qëlluar të kenë qenë të dëmshme për ambientin ku flakët janë vënë qëllimisht te pyjet në zonat e lartpërmendura. “Të gjithë personat e akuzuar ndiqen në gjendje të lirë”, - thonë burimet nga organi i akuzës. Në krahasim me vitin e kaluar, sivjet Gjirokastra është përfshirë nga pak zjarre, dhe kjo me sa duket ka të bëjë edhe me rastet e ndjekjeve penale për autorët e zjarrvënieve të qëllimshme nga barinjtë, të cilët janë më tepër se kushdo tjetër të interesuar t’u vënë flakën kullotave për mbarështimin e tyre vitin që vjen. Ndërkaq brenda javës që shkoi flakët e zjarrit kanë shkrumbuar rreth 56 ha kullota në fshatin Lekël të Tepelenës. Gjithsej këtë vit në prefekturën e Qarkut e Gjirokastrës janë djegur rreth 90 ha pyje e kullota, ndërkohë që vitin e kaluar kjo sipërfaqe ishte trefish më e lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›