E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divorcet, një shkak i ri dhe lojërat elektronike

27/04/2011  Në fillim të këtij viti rezulton se lojërat e fatit janë shkak i rreth 15% të kërkesave për shkurorëzim

SHKODER- Kushtet e vështira ekonomike, konsumimi i alkoolit dhe së fundmi lojërat e fatit janë kthyer në tre shkaqet kryesore të ndarjes së çifteve gjatë katër muajve të parë të këtij viti. Ky fakt pohohet nga gjykatësit dhe kryesisht nga avokatët që merren kryesisht me zgjidhjet martesore. Sipas tyre, dy shkaqet e para që lidhen me vështirësitë financiare të mjaft familjeve dhe me konsumimin e alkoolit nga ana e bashkëshortëve ka kohë që janë problem shqetësues në zonën e Shkodrës.

Divorcet

Shkaku më i ri i divorceve që lidhet me lënien e shumave të mëdha të parave në lojërat e fatit hasej rrallë në vitet e shkuara, por po godet rëndë gjatë muajve të parë të këtij viti. Duke i analizuar me radhë këto shkaqe, avokatët që kanë një kontakt të drejtpërdrejtë me klientët që futen në procedurat gjyqësore të divorcit sqarojnë se kushtet e vështira ekonomike që kalojnë mjaft familje në zonën e Shkodrës bëhen shkak i mjaft konflikteve mes çifteve që vijnë duke u acaruar derisa shkojnë në fyerje të rënda. Në disa raste dhuna verbale kalon në dhunë fizike, duke e bërë edhe të pamundur pajtimin e çifteve në seancat përkatëse paraprake. Në këtë pikë bëjnë pjesë jo vetëm çiftet ku njëri apo të dy bashkëshortët janë të papunë dhe kanë probleme minimale jetese, por edhe ato që janë të punësuar, por të ardhurat janë të pakta për të plotësuar një jetë akoma më të mirë. Kushtet e vështira ekonomike zënë 50% të rasteve të kërkesave apo dhe të shkurorëzimit të çifteve. Vite më përpara ky shkak zinte mbi 60% të rasteve të bashkëshortëve që futeshin në konflikte dhe më pas shkurorëzoheshin. Ulja e kësaj përqindjeje shpjegohet me shtimin e përqindjeve të shkaqeve të tjera që kanë pasur në një vend të vogël në numrin e rasteve. Për sa u përket divorceve për shkak të konsumimit të alkoolit, avokatët shprehen se përqindja e këtyre rasteve është rritur. Vitin e kaluar divorcet nga konsumimi i alkoolit zinin 10% të rasteve, ndërsa këtë fillim viti zënë 20% të kërkesave për ndarjen mes çifteve. Në rastet e kërkesave për divorc për shkak të konsumimit të alkoolit të bashkëshortëve vihet re se ka një përplasje mes çifteve jo vetëm për dhunën verbale që krijohet, por edhe për shkak të shpenzimit të parave të përbashkëta, duke neglizhuar përdorimin për nevojat familjare. Duke u ndalur tek lojërat e fatit, avokatët shprehen se ato janë bërë mjaft problematike dhe po ndikojnë negativisht edhe në mjaft familje që më përpara nuk kanë pasur asnjë problem mes tyre. Vite më parë ky shkak zinte një përqindje të vogël, rreth 3% të rasteve të divorceve, ndërsa në muajt e parë të këtij viti rezulton se lojërat e fatit janë shkak i rreth 15% të kërkesave për shkurorëzim. Rritja e numrit të rasteve të divorceve për shkak të lojërave të fatit lidhet me futjen e lojërave elektronike në kazino, apo dhe në ambiente të ndryshme, që nuk kanë qenë shumë të përhapura në zonën e Shkodrës. Në fakt këto lojëra elektronike patën një bum përhapjesh vitin e kaluar, por efekti i tyre është ndier dukshëm këtë vit, edhe pse një pjesë e lokaleve me këto lojëra janë mbyllur për shkak të kontrolleve dhe sekuestrimeve të tyre nga strukturat policore dhe tatimore. Lënia e sasive të mëdha të parave dhe në një kohë të shkurtër në këto lojëra krijoi mjaft problem mes çifteve, të cilët duke mos ia dalë mbanë të rimëkëmbeshin përfundonin në dyert e gjykatës. Ndërsa shkaqet e tjera që përbëjnë rreth 15% rasteve të divorceve, avokatët përmendin tradhtitë bashkëshortore, xhelozitë, dhunën fizike, mospërballimi i të jetuarit me prindërit e bashkëshortit apo të dy a më shumë kurorave në një banesë, mosmarrëveshjet mes çifteve për shkak të kulturave apo mentaliteteve të ndryshme. Duke iu referuar të dhënave nga gjykata, gjatë katër muajve të parë të këtij viti janë regjistruar rreth 70 kërkesa për divorc që do të thotë se ka afërsisht një kërkesa në çdo dy ditë, aq sa ishte dhe mesatarja e vitit të kaluar. Nga këto kërkesa është marrë vendimi për divorc për rreth 30 çifte, ndërsa rastet e tjera janë në procedura pajtimi ose gjykimi.

Shifrat flasin ende për një numër të konsiderueshëm kërkesash për divorc pavarësisht se në krahasim, sidomos me dhjetëvjeçarin e parë të pas ‘90-ës, numri është shumë më i ulët.

Dako e Xhaferaj replikojnë për TEC-in me qymyr në Porto Romano

Xhaferraj: Do të dorëhiqem nga

kryebashkiak nëse ndërtohet

DURRES- Ferdinand Xhaferaj, kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” në Bashkinë e Durrësit, në një konferencë për shtyp pranë tendës së ngritur nga rivali i tij Vangjush Dako ka reaguar lidhur me akuzat që i ka bërë kandidati socialist. Ai u shpreh se “Kam ardhur sot këtu t’i shtoj disa fletë librit të gjelbër të Dakos, fletë që janë dokumente, të cilat tregojnë se z. Dako, që në vitin 2008, është pro ndërtimit të parkut energjetik dhe TEC-it”. Ai ka pohuar para medias dhe për qytetarët e pranishëm se kryetari i Bashkisë së Durrësit e ka votuar ndërtimin e parkut energjetik madje në fjalën e tij ka artikuluar se edhe në Monte Karlo ka një incinerator (TEC me lëndë djegëse). “Më 10 nëntor 2008, në mbledhjen e KRRT-së së Këshillit të Qarkut Durrës, masterplani i parkut energjetik është miratuar me vetëm një vota kundër, atë të arkitektit Viktor Dhimgjini”, tha kandidati demokrat Xhaferaj. Sipas tij, Dako para së gjithash ka parë në këtë masterplan përfitimet e tij personale të shitjes së betonit. Ndërtimi ose jo i një TEC-I me qymyr në perëndim të qytetit të Durrësit është kthyer në një kalë të fortë në betejën Dako-Xhaferaj. "Unë kam këtu një shkresë të datës 15. 04 2009, me të cilën i jemi drejtuar Kryeministrit të Republikës, ministrit të Punëve Publike dhe ministrit të Ekonomisë ku i shprehim se për sa kohë këtyre problemeve nuk i jepet zgjidhje nga ana e kompanisë italiane ``ENNEL`` Bashkia e Durrësit shprehet kundër realizimit të këtij projekti”,-ka deklaruar Dako lidhur me këtë çështje shumë të lakuar në këtë muaj fushate zgjedhore. Socialistët kanë ngritur një çadër para pallatit të kulturës me pohimin se po mbledhin forma kundër TEC-it me qymyr, ndërsa kandidati Xhaferaj dje ka ftuar median në reagimin e tij. “Unë kam qenë gjithnjë kundër ndërtimit të një TEC-i me qymyr, jam shprehur kundër në vitin 2009 dhe kam thënë se do të dorëhiqem si deputet nëse ndodh. E përsëris edhe tani se jam kundër dhe do të tërhiqem edhe nga detyra e kryetarit të bashkisë nëse ndërtohet”,- u shpreh Xhaferaj. Kandidati i PD sjell si shembull qëndrimet e tij të vitit 2008, kurse Dako për të njëjtën çështje, por me disa muaj vonesë. Kryetari i Bashkisë në pohimet e tij mbështetet në reagimet qytetare të iniciuara disa muaj pasi Dako pati shprehur pro qëndrimin e tij lidhur me masterplanin e ndërtimit të parkut energjetik në një sipërfaqe prej 810 ha në Porto Romano. Xhaferraj ka në shtabin e tij të fushatës së përditshme edhe kryetarin e qarkut Seid Kërtusha, i cili ka afruar edhe dosjen përkatëse të takimit të KRRT, si dhe diskutimet e anëtarëve. XH. Gradica

Arrestohen 3 persona

Vidhet mjeti në Krujë, gjendet

pjesë-pjesë në Vlorë

DURRES- Tre shtetas njëri prej të cilëve është arrestuar katër javë më parë, janë vënë nën akuzën e vjedhjes së një mjeti, i cili u gjend i çmontuar në Vlorë. Julian Q. 26 vjeç ka përfunduar në qelitë e paraburgimit, ashtu si dhe Artan. Xh 16 vjeç, ndërsa shtetasi R. T nga Vlora do të ndiqet në gjendje të lirë për përvetësim të mallrave të vjedhur. Adoleshenti 16-vjeçar është arrestuar në fillim të këtij muaji ngase ka qenë i dyshuari kryesor. Hetimet për vjedhjen e Benzit të shtetasit me inicialet A. S kanë nisur pikërisht natën e 1 prillit, kohë që poshtë shkallëve të pallati ku banon i dëmtuari është vjedhur mjeti. 16-vjeçari thuhet se ka qenë edhe më parë person me precedent penal, pasi është dënuar për vjedhje me dhunë. Mjeti Benz mësohet se është shitur në Vlorë më datë 2 prill të këtij viti tek shtetasi R. T., i cili, sipas policisë, ka pasur dijeni se bëhet fjalë për një mjet të vjedhur. Pikërisht një dyshim i tillë e ka vënë edhe atë nën akuzë. Policia është deklaruar se e ka gjetur mjetin me targa KR 6632 A të Vlorës, por të çmontuar dhe një pjesë ishte tregtuar. Burimet thonë se Julian Q. është vëzhguar për disa ditë dhe se ka prova të forta që ai është përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Xh. G

Niko Peleshi kërkon ndihmën e Myftinisë së Korçës

Premton ngritjen e kullës së sahatit

dhe infrastrukturë për xhaminë

KORÇE- Kur dita e zgjedhjeve të 8 majit po afrohet me shpejtësi, dhe do të jetë kjo dita që do të përcaktojë se cili do të jetë fituesi nga dy kandidatët konkurrues për kryetar bashkie në qytetin e Korçës, kandidati i “Aleancës për të ardhmen”, Niko Peleshi, së fundi realizoi një vizitë në Myftininë e Korçës, për të premtuar se në mandatin e tij të ardhshëm, (në rast fitoreje), do të investojë për ngritjen e kullës së sahatit dhe për krijimin e infrastrukturës rrugore përreth ambienteve të Xhamisë së themeluesit të Korçës Iljaz bej Mirahori. Jo vetëm kaq, Peleshi tha se fondet për kullën e sahatit ishin të parashikuara në buxhet. Këto premtime, Niko Peleshi, i bëri gjatë një takimi që pati me Myftiun e Korçës, Haxhi Qazim Muçi.

Harresa

Në të vërtetë këtë premtim Niko Peleshi e ofroi për qytetin e Korçës që kur nisi të bënte fushatë elektorale në kërkim të mandatit të tij të parë, por edhe pse që nga ajo ditë kanë kaluar katër vite me radhë në të vërtetë nuk u realizua asgjë. Dhe jo vetëm kaq, për 20 vite me radhë të gjithë kryetarët e bashkisë që kanë ardhur dhe kanë ikur, nuk shpenzuan qoftë edhe një qindarkë të vetme për ngritjen e kullës së sahatit, edhe pse ky monument kulturor ka qenë një nga krenaritë e qytetit të Korçës, pjesë përbërëse e monumentit të madh kulturor dhe historik të xhamisë së themeluesit të qytetit. Kulla e sahatit u ngrit në vitin 1780, ose 230 vjet më parë, por që nga shembja e tij në tërmetin e vitit 1960, as diktatura nuk u interesua më për të, dhe as kryetarët e bashkive që erdhën dhe ikën, edhe pse këta të fundit votoheshin për kullën e sahatit, për xhaminë e themeluesit të Korçës dhe për pazarin e Korçës, sepse themelet e tij u hodhën së pari nga njeriu që hodhi themelet e këtij qyteti, pra nga Iljaz bej Mirahori. Mbi të gjitha ekziston një e vërtetë e madhe: kur flitet për monumentet si pazari dhe xhamia, flitet për mijëra qytetarë të Korçës dhe identitetin e tyre. Megjithatë, vizita e kandidatit “Aleanca për të ardhmen”, në Myftininë e Korçës është një shenjë e mirë.

Kujtesa

Është një shenjë e mirë, sepse duket që kandidatët kanë nisur të kuptojnë se investimet nuk mund të shkojnë për 20 vjet me radhë vetëm në njërën pjesë të qytetit dhe të lihet në harresë gjysma tjetër e tij. Tashmë duket se kanë filluar të kuptojnë se pazari është një monument që nuk mund të anashkalohet dhe për më tepër nuk mund të lihet pas dore deri në një degradim të plotë. Tashmë s’ka asnjë dyshim që kandidatët kanë kuptuar vlerat e vërteta të monumenteve më të rëndësishme për jetën e qytetit të Korçës. Madje të gjithë këto do dilnin në pah dhe gjatë takimit që Niko Peleshi pati me Myftiun e Korçës Haxhi Qazim Muçi. Në këtë takim Niko Peleshi tha: “Jemi këtu, sepse duam të vazhdojmë kontributin tonë, me një fond prej 20 milionë lekësh që është futur në buxhetin e bashkisë, për fillimin e ndërtimit të kullës së sahatit, duke e kompletuar restaurimin e këtij institucioni të rëndësishëm publik për vendin tonë, por edhe për Ballkanin, duke i shtuar kështu edhe vlerat turistike edhe monumentale të qytetit tonë”. “Unë kam ardhur, tha më tej Peleshi, t’u siguroj që edhe në katër vitet e ardhshme do të jem pranë çdo problemi që do të keni”. Përveç sa më sipër Niko Peleshi premtoi dhe infrastrukturë për rrugët dhe ambientet për rreth xhamisë së themeluesit të qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori. V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›