E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divorci, burri qëllon gruan më pas vetëvritet me kallash

26/05/2010 Policia dyshon për eksploziv në çantë. Konstatohen vetëm 16 copë fishekzjarrë

TIRANE- Ripërsëritet sërish krimi brenda familjes, ku edhe këtë herë janë regjistruar dy viktima, të cilët janë Arjana Shyti 49 vjeç dhe bashkëshorti i saj Koço Shyti 57 vjeç, nga Berati. Ngjarja e rëndë ndodhi në mëngjesin e djeshëm në ambientet e një pike interneti në vendin e quajtur “Komuna e Parisit”, ku viktima Arjana Shyti punonte si pastruese. Shkak i këtij krimi të rëndë mësohet se është bërë divorci mes Arjanës dhe Koços, gjë e cila e ka ngarkuar gjendjen psikike të bashkëshortit, i cili dje ka vrarë me automatik gruan e tij dhe më pas ka qëlluar veten. Sipas informacioneve paraprake të policisë, burri kishte udhëtuar nga Berati enkas për të takuar ish-gruan e tij, që dyshohet se ishte divorcuar dy vjet më parë. Madje mendohet që edhe armën e krimit, një kallashnikov, e kishte me vete, së bashku me një çantë të zezë. I mirinformuar për vendndodhjen e gruas, rreth orës 8:00 të mëngjesit ai është futur në qendrën e internetit e ka qëlluar disa herë mbi të me automatik, më pas ka vrarë dhe veten. Në momentin e krimit në sallën e internetit nuk ka pasur persona, por krismat janë dëgjuar nga banorët e zonës, që kanë lajmëruar menjëherë policinë. Ndërkohë që dy trupat e viktimave u dërguan në morgun e Tiranës, policia nisi verifikimet, pasi nga kontrolli me skaner që iu bë çantës së zezë, konstatohej së në të ndodheshin rreth 16 trupa që u ngjasonin shumë kallëpeve të dinamitit. Nisur nga kjo situatë, efektivët e policisë kanë evakuuar banorët e zonës, pasi mendohej se brenda në çantë ndodhej një sasi e konsiderueshme eksplozivi. Në vendin e krimit kanë mbërritur edhe specialistët e skuadrës antieksploziv, të cilët, pasi verifikuan çantën e zezë, konstatuan se ajo nuk mund të hapej me dorë. Për këtë, ata kanë vënë në përdorim një sasi të vogël tritoli, i cili pas shpërthimit ka mundësuar edhe hapjen e çantës. Pas kontrollit të grupit antieksploziv rezultoi se sasia e dyshuar për tritol ishte fishekzjarrë. Nuk dihet me saktësi se për çfarë i duheshin fishekzjarrët 57-vjeçarit Koço Shyti, por lidhur me këtë gjë, si dhe motivet kryesore të krimit të dyfishtë, policia po kryen hetime. Lidhur me ngjarjen e rëndë, hetuesit shoqëruan në komisariat disa persona, mes të cilëve edhe administratorin e pikës së internetit, i cili u ka thënë uniformave blu se Arjana Shytin e kishte punësuar prej disa kohësh dhe se me të kishte lidhje farefisnie. Ndërkohë në pyetje janë marrë edhe të afërm të dy viktimave, të cilët i konfirmuan policisë se Arjana dhe Koço Shyti prej kohësh ishin divorcuar për shkak të zënkave në çift. Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi një automatik kallashnikov si dhe disa gëzhoja. Ndërkohë që brenda pak javësh kjo është vrasja e dytë që ndodh në kryeqytet dhe gati në rrethana të ngjashme, ku burri pas divorcit vret gruan dhe qëllon edhe veten. Kohët e fundit krimi në familje po merr përmasa më të gjera dhe shifra sa vjen e shtohet. Për të parandaluar këtë policia thuajse është e pafuqishme, për shkak të natyrës dhe rrethanave se si ndodh ky krim.

Precedenti te “Selvia”

Jo më larg se tri javë më parë, e njëjta ngjarje u regjistrua në zonën e Selvisë, ku Skënder Meshi nga Lezha qëlloi me pistoletë ish-bashkëshorten e tij, Dylbere Meshin. Krimi ndodhi për shkak të divorcit, ndërkohë që pas vrasjes së gruas ai qëlloi veten. Ngjarja u regjistrua në ambientet e një lokali, ku çifti ishte duke biseduar. Pas një debati, Skënder Meshi me profesion ish-kolonel ka nxjerrë nga çanta pistoletën dhe ka hapur zjarr në drejtim të gruas. E gjithë skena u pa nga kamerierja e lokalit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›