Humb jetën fëmija ndërsa mblidhte kanaçe, kamioni i shkarkon sipër mbeturinat
Çdo ditë ai shkonte në vendin ku grumbulloheshin mbeturinat urbane të qytetit të Shkodrës dhe kërkonte në mbeturina skrap që më pas ta shiste atë për të siguruar jetesën. Por dita e djeshme ka qenë tragjike për 13-vjeçarin Ermir Ujka, i cili ka humbur jetën, pasi kamioni që shkarkonte mbeturinat, ia ka hedhur duke e zënë poshtë, ndërsa ky i fundit ishte duke rrëmuar aty. Kanë qenë disa fëmijë të tjerë dhe një grua që kanë dhënë alarmin për këtë ngjarje. 13-vjeçari është nxjerrë 30 minuta më pas dhe është dërguar në spitalin e qytetit, por nuk ka mundur që të jetojë. Ai ishte banor në lagjen e qytetit verior “Mark Lula”. Punonjësi i ndërmarrjes së pastrimit nuk e ka parë atë që ishte pas kamionit, duke shkaktuar kështu aksidentin fatal.
Në lagjen “Mark Lula” të krijuar pas viteve ‘90, jetojnë banorë të ardhur kryesisht nga zonat e thella malore. Sipas tyre, 13-vjeçari i përket një familjeje shumë të varfër, e cila për të siguruar bukën e gojës dalin çdo ditë për të gërmuar në plehra. Ai ka humbur jetën ditën e djeshme, ndërsa ishte duke kërkuar për skrap, që më pas do ta shiste për të siguruar ato pak të ardhura për të ndihmuar familjen e tij.