E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Do i japim fund përdorimit të shtetit”

15/06/2009  Kandidatët për deputetë të PS-së

Kandidatët e PS-së vijojnë takimet intensive në zona të ndryshme të vendit. Kështu, socialistët Ben Blushi e Arben Ahmetaj kanë qenë në Poloskë të Korçës. Në takimin e zhvilluar në këtë fshat ata premtuan se pas 28 qershorit fshati do ketë një qeveri, e cila nuk do ta lërë më fermerin jetim, por përkundrazi do të stimulojë zhvillimin e punës në fshat. Sipas Blushit, një nga angazhimet e PS është tre vjet pa taksa çdo biznes i ri agrar që do të lindë në fshat. “Pas 28 qershorit, fshatrat tona do ndryshojnë, do ketë një qeveri mike, të fshatit, të fshatarëve, e cila do marrë masa konkrete për të ndryshuar totalisht jetën në fshatrat tona, duke penguar çdo matrapaz, i cili merr para nga qeveria, por nuk ka shet, i cili merr para nga PD, dhe i përdor për t’i kthyer në trakte politik”, deklaroi ai. Ndërkohë dhe kandidatët e qarkut të Fierit Ermelinda Meksi dhe Gramoz Ruçi kanë qenë në spitalin pediatrik të qytetit të Fierit. Ata kanë parë nga afër kushtet në të cilat është ky spital që funksionon si një spital rajonal. Ndërsa në një takim në komunën Krutje, kandidati për deputet, Gramoz Ruçi, ndër të tjera në fjalën e tij u shpreh se “unë ju garantoj, se me PS dhe Edi Ramën, do të fitojnë socialistët dhe demokratët dhe kjo është arsyeja që u bëj apel gjithë demokratëve, veçanërisht atyre të Krutjes, se me djalin e tyre në Parlamentin shqiptar, ata janë të fituar, pavarësisht se janë demokrat, do kenë një derë të hapur, pasi do të ketë një përfaqësues Krutja”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›