Serbët në Shqipëri, me status minoriteti
Serbia pritet të nisë betejën diplomatike me qeverinë shqiptare, që komuniteti serb i cili jeton në vendin tonë, të marrë statusin e minoritetit. Këtë e ka bërë të ditur ministri serb i Diasporës, Serxhan Sreçkoviç, i cili ka folur për strategjinë e qeverisë së Beogradit, për të krijuar “ishujt” diplomatikë të minoriteteve. Sreçkoviç nuk ka dhënë detaje, por sipas të gjitha gjasave, Beogradi do të nisë manovrën e vjetër për të përfituar nga banorët e zonës së Vrakës në Shkodër, por edhe nga qyteti më i madh i veriut, të cilët në kohën e ekzistencës së Jugosllavisë, gjatë viteve ‘90-‘97 kanë marrë kartat e pakicës, që në atë periudhë ishte një kusht i domosdoshëm për të përfituar vizë kalimi për të tregtuar mallra, ndërkohë që Jugosllavia ishte nën embargon e OKB-së, si pasojë e luftës së përgjakshme në Bosnjë-Hercegovinë. Një pjesë e këtyre banorëve janë larguar nga Shqipëria në fillim të viteve ‘90 dhe u vendosën në Kosovë, në rrethinat e Beogradit, apo edhe në Mal të Zi. Madje shteti i pavarur fqinj verior i Shqipërisë i konsideron si pakicë malazeze, por ky komunitet është i përçarë në dy shoqata: njëra që është me Podgoricën dhe tjetra me Beogradin. Deklarata e ministrit serb të Diasporës krijon një rast të ri fërkimi mes Tiranës dhe Beogradit, ndërkohë që dy vendet po përjetojnë një marrëdhënie mjaft të mirë pas deklaratave të Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për të ftuar Presidentin serb në Tiranë, dhe përgjigjja pozitive e Boris Tadiç për të ridimensionuar relacionet me Tiranën. Por ndërkohë, pakica shqiptare në Luginën e Preshevës, e cila jeton në tri komuna dhe është mjaft numeroze, jeton në kushte të rënda. Policia serbe ndërmerr vazhdimisht operacione ndëshkuese ndaj shqiptarëve të Luginës, duke shkelur të drejtat e njeriut. Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Rahmi Mustafa, gjatë një qëndrimi në Tiranë javën e shkuar, tha se shqiptarët e Preshevës kërkojnë të gjitha të drejtat që përfiton minoriteti serb në Kosovë, i cili përfaqësohet me vende të caktuara në Parlament.
#