E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eshtrat, prokuroria ia dërgon dosjen policisë

Oficerët e policisë gjyqësore urdhërojnë ruajtjen e vendvarrimit masiv të gjetur rrëzë malit të Dajtit

Prokuroria ka pezulluar përkohësisht hetimet për gjetjen e varrit masiv rrëzë malit të Dajtit në Tiranë, duke ua kaluar veprimet e mëtejshme oficerëve të policisë gjyqësore. Nga verifikimi paraprak i materialeve nuk ka rezultuar vepër penale, ndërsa është urdhëruar mjekësia ligjore që të verifikojë vitin e saktë që personat kanë ndërruar jetë. “Për tri ditë me radhë kemi marrë në pyetje personat që i kanë gjetur eshtrat, si dhe kemi hapur një verifikim të plotë, duke urdhëruar mjekësinë ligjore të këqyrë kufomat. Megjithatë, dosja i është deleguar policisë për plotësime, dhe nëse mund të ketë vepër penale, atëherë duhet ta referojnë në prokurori. Në të kundërt, dosja do të pushohet”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës.
Grupi hetimor i ngritur pas gjetjes së eshtrave pohon se do të urdhërojë që çdo procedurë ligjore të kryhet, megjithatë vepra penale, nëse ekziston, është amnistuar ose parashkruar, çka do të thotë se roli i prokurorisë në këtë verifikim është dytësor. Prokuroria mendon se eshtrat duhet të merren në dorëzim nga një institucion që mund të ngrihet për të gjetur vendvarrimet e të pushkatuarve gjatë komunizmit. Sipas akuzës, identifikimi i plotë i eshtrave të gjetura do të dojë kohë dhe shpenzime të tepërta dhe për këtë arsye mendojnë se analizat e ADN-së duhet të realizohen me shpenzimet e vetë familjarëve të interesuar.
Krahas këtyre sugjerimeve, prokuroria ka deklaruar dje se ka urdhëruar ruajtjen e vendvarrimit masiv, të zbuluar nga gazeta “Shqip”, pasi për identifikimin e plotë të viktimave do të duhen edhe kampionë nga toka në të cilën janë gjendur. Ka dyshime se të tjerë të pushkatuar gjatë komunizmit janë varrosur në rrëzë të malit të Dajtit dhe prokuroria mendon se kërkimi në këtë zonë duhet të realizohet nga ekspertë të fushës dhe jo nga familjarë të të humburve, pasi do të dëmtonte procesin e identifikimit. Hetuesit që janë marrë këto ditë me të ashtuquajturin “varri masiv 313”, deklarojnë se disa nga eshtrat që kanë shkuar në mjekësinë ligjore kanë qenë të paplota dhe ato janë gjetur në varre të cekëta, të mbështjellë me qese të zeza. Sipas hetuesve, kërkimet me mjete të papërshtatshme kanë dëmtuar eshtrat dhe do të duhet një kohë e gjatë për identifikimin e tyre. Ndërkohë, prokuroria deklaron se do të kryejë çdo procedurë ligjore për çështjen në fjalë, pavarësisht se pushkatimi mund të ketë ndodhur para viteve ‘90.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›