Doganierët grekë në grevë, bllokohet Kakavija
Kakavija është bllokuar për të dytën herë brenda javës, si pasojë e grevës së paralajmëruar të doganierëve grekë. Ndonëse gjithçka ka qenë e paralajmëruar disa ditë më parë, sërish mjetet e tonazheve të ndryshme me drejtim Greqinë, kanë qëndruar në pritje për të kaluar për orë të tëra duke krijuar konfuzion të madh në pjesën shqiptare. Nga ana e tyre, autoritetet doganore shqiptare kanë bërë të mundur sistemimin e të gjithë automjeteve në pritje për të kaluar në Greqi në territorin e tyre për të eliminuar çdo radhë të mundshme.
Ashtu si dhe para disa ditëve, doganierët grekë nuk kanë punuar prej orës 7:00 deri në orën 10:00, ndërkohë që mjaft prej tyre kanë shprehur opinionin për përshkallëzimin e grevës në orare të zgjatura, por që sot kjo mundësi u eliminua për shkak të mosinformimit të homologëve shqiptarë. Në këtë grevë është përfshirë vetëm stafi i doganës greke, ndërkohë që efektivat e policisë kanë vazhduar punën normalisht. Greva ka bllokuar zhdoganimin e çdo lloj mjeti në të dyja anët e kufirit ndërkohë që lëvizja e këmbësorëve ka vijuar si çdo ditë përjashtuar autobusët e linjave nga të dy anët e kufirit. Si shkak i ndërprerjes së punës gjatë zhvillimit të grevës janë krijuar radhë pritjeje deri në 1 km në të dyja anët e kufirit, ndërkohë që situata është normalizuar gjatë orëve të mesditës. Kërkesa themelore e doganierëve grekë është rritja e pagës dhe eliminimi i mundësisë për shkurtimin e personelit që është paralajmëruar për tu ndërmarrë në fillim të vitit tjetër. Ndërkaq, gjatë 24 orëve të fundit kanë kaluar 4 mijë emigrantë shqiptarë me banim në Greqi.