E Diel, 1 Nëntor 2026

Doreshkrimi original i vepres Dimri i vetmise se madhe

Dorëshkrimi original i veprës “Dimri i vetmisë së madhe” i shkrimtarit, Ismail Kadare të cilin e disponon Nexhmije Hoxha do të sekuestrohet nga gjykata. Gjyqtari, Bledar Abudullai vendosi që ky dorëshkrim origjinal, që posedohet nga e veja e diktatorit Enver Hoxha do të mbahet në arkiv deri në përfundimin e shqyrtimit në themel të padisë së shkrimtarit Ismail Kadare.  Pak ditë pasi shkrimtari Ismail Kadare iu drejtua gjykatës së Tiranës për të rimarrë dorëshkrimin origjinal të veprës "Dimri i Vetmisë së Madhe", i cili mbahet padrejtësisht, sipas tij nga Nexhmije Hoxha. 
Avokati i zonjës Hoxha, Arianit Roshi, e konsideroi të padenjë faktin që pas kaq vitesh kadare kërkon të rimarrë dhuratën që I bëri znj. Hoxha. 
Megjithatë avokatët e të vesë së diktatorit u shprehen se do të zbatojnë vendimin e gjykatës. Nga ana tjetër avokatja e zotit Kadare, Flonja Tashko tha se nëse dorëshkrimi nuk dorëzohet në arkiv, në shtëpinë e zonjës Hoxha do të veprojnë përmbaruesit. 
Shkrimtari Ismail Kadare iu drejtua Gjykatës së Tiranës dhe kërkoi që e veja e diktatorit ti kthejë dorëshkrimin origjinal të veprës "Dimri i Vetmisë së Madhe" shkruar nga autori në vitin 1971 dhe botuar në 1972 për herë të parë. Në padi Kadare pretendon se Nexhmije Hoxha e ka marrë dorëshkrimin në vitin 1972 gjatë një vizite që bëri në shtëpinë e tij, për ta ruajtur në Arkivin e Partisë. Ndërkohë nexhmije Hoxha pak kohë më parë kishte paditur gazetarin blendi Fevziu për librin Enver Hoxha me akuzën se ka shfrytëzuar ditarët personal të diktatorit pa marrë leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›