E Shtunë, 31 Tetor 2026

U kap me armë, gjykata lë në burg Ylli Kelmendin



Deklarimi: Armën e mbaja për vetëmbrojtje

Prokuroria, 44-vjeçari refuzoi të kontrollohet nga policia

Deklaron se armën e mbante për vetëmbrojtje, gjykata lë në burg Ylli Kelmendin. 44-vjeçari, i njohur si mik i ngushtë i Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes) është shoqëruar disa herë për vepra të ndryshme penale nga policia e kryeqytetit. Gjatë seancës së masës së sigurisë, e cila u zhvillua paraditen e djeshme në Gjykatën e Tiranës, 44-vjeçari Kelmendi e ka justifikuar mbajtjen e armës duke u shprehur se “armën e mbaja për vetëmbrojtje”, por pa dhënë më tepër detaje. Sipas akuzës, Kelmendi akuzohet për dy vepra penale, “për kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”. Arrestimi i Kelmendit u bë tri ditë më parë në rrugën “Xhorxh Bush”, në afërsi të Parlamentit në Tiranë. Sipas akuzës, mësohet se Kelmendi nuk ka pranuar të kontrollohet nga policia dhe ka goditur dy prej efektivave të saj. Përforcimet në radhët e policisë kanë çuar në ndalimin dhe më pas në dërgimin e tij në qeli. Gjatë kontrollit, atij iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë tip TT, me një krehër me 7 fishekë, të cilën e mbante pa leje. Burimet policore thanë se dy punonjësve të policisë, të dëmtuar nga Kelmendi, iu dha menjëherë ndihma mjekësore. Ndaj Ylli Kelmendit, i cili ishte dëshmitari kryesor në vrasjen e shokut të tij, Fatmir Rama, disa vite më parë në mjediset e një kartodromi në periferi të Tiranës, u mor masa e arrestit për veprat penale të “kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”. Ylli Kelmendi është shoqëruar disa herë në polici për vepra të ndryshme penale. Pas vdekjes së shokut të tij të ngushtë, ku dhe mbeti i plagosur, Kelmendi është shoqëruar në polici për tentativën e vrasjes së një shtetasi në qendër të kryeqytetit, e cila më vonë u klasifikua si plagosje e lehtë. Më pas, 44-vjeçari u ndalua për “armëmbajtje pa leje” dhe tashmë ndalohet sërish për të njëjtën vepër penale.

Detaj

44-vjeçari Ylli Kelmendi njihet si miku i ngushtë dhe një nga dëshmitarët kryesorë të ngjarjes ku mbeti i vdekur Miri i Xhikes

Tenton vetëvrasjen për pronën, shpëtohet në kohë Halit Meta

Një 37-vjeçar nga qyteti i Shkodrës ka tentuar vetëvrasjen dy ditë më parë, duke u hedhur në themelet e një pallati të ri që po ndërtohej. Sipas burimeve policore, Halit Meta, 37 vjeç, i martuar dhe baba i dy fëmijëve nga Shkodra, ka tentuar pasditen e së premtes të vetëflijohet, duke u hedhur në armaturën e themeleve të një pallati që po ndërtohet, për të cilin, ai pretendon se po ndërtohet në pronën e tij. Sipas familjarëve të Halit Metës, ky i fundit prej 15 vitesh bredh dyerve të gjykatave, për t’iu rikthyer sërish prona e tij, tokë të cilën ai pretendon se ia kanë marrë kushërinjtë e tij, Shefik dhe Rexhep Meta, duke falsifikuar hartën e tokës së vitit 1962. Halit Meta, ndoshta tashmë i lodhur nga mosmarrëveshjet, shtyrjet dhe sorollatjet ne sisteme të ndryshme gjyqësore, kërkon drejtësi dhe ka menduar se atë mund ta arrijë vetëm duke u vetëflijuar. Ndërkohë, vendimi i fundit i Gjykatës së Rrethit Shkodër, ka shkuar në favor të kushërinjve të Halitit, të cilët pronën ia kanë shitur një firme ndërtimi, e cila tashmë ka filluar të ndërtojë një pallat shumëkatësh. Pas shumë mundimesh, kalimtarët dhe komshinjtë e 37- vjeçarit, kanë arritur ta nxjerrin këtë të fundit nga themelet ku ai kishte menduar të përfundonte jetën e tij, pavarësisht se edhe rezistenca e tij për të mos e nxjerrë nga vendi ku ai ishte hedhur, ka qenë e madhe. Halit Meta, është dërguar më pas, në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›