E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qëllime kriminale në dëm të kryetarit të PR-së”

28/03/2009  Republikanët sulmojnë ashpër kryeprokuroren Ina Rama

Presidenti i Republikës të ndërmarrë hapat institucionalë

Partia Republikane ka sulmuar ashpër Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, duke e akuzuar atë për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit gjatë procesit të hetimit ndaj Fatmir Mediut, kryetar i PR-së. Kryetari i grupit parlamentar republikan Arian Madhi tha në një deklaratë për shtyp se veprimet e kryeprokurores Rama po vepron me prapavijë të pastër politike ndaj drejtuesit të PR-së. “Prokurorja e Përgjithshme për të realizuar qëllimet e saj kriminale në dëm të autoritetit të kryetarit të PR-së dhe mazhorancës në prag të zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë ka shkelur në mënyrë të hapur ligjin duke publikuar fakte të hetimit dhe duke bërë interpretime publike të tyre. Ky veprim i Prokurores së Përgjithshme vjen në kundërshtim me nenin 30 të Kushtetutës, i cili garanton prezumimin e pafajësisë”, - deklaroi Madhi. Ai nënvizoi se kryeprokurorja ka vepruar edhe në shkelje të Kodit të Procedurës Penale, ku në nenin 103 të tij, pika 2, përcaktohet se “ndalohet publikimi, qoftë dhe i pjesshëm, i akteve josekrete deri në përfundimin e hetimeve”. Madhi theksoi se republikanët kanë konstatuar që prej një viti veprimin tendencioz dhe të paligjshëm të kryeprokurores Ina Rama. Në deklaratën e tij Madhi thekson se edhe kryetari i grupit të hetimit, prokurori Sokol Stojani, në mënyrë të qëllimshme, të paligjshme dhe politikisht është po ashtu i angazhuar në veprime kriminale kundër Fatmir Mediut. “Prokurori Stojani në mënyrë të paligjshme, të qëllimshme dhe kriminale, jashtë çdo norme etike dhe ligjore gjatë emisionit ‘Opinion’ më datë 19 mars i ka nisur me dhjetëra mesazhe panelit të gazetarëve, duke treguar kështu qartësisht tendenciozitetin e tij në këtë proces, në kundërshtim me ligjin dhe nënshtrimin e tij ndaj urdhrit politik që ai ka marrë për të krijuar opinionin nëpërmjet medias se zoti Mediu është përgjegjës për ngjarjen, gjë që nuk e kanë provuar në asnjë rast të hetimit”, - tha Madhi. Për të vërtetuar këtë, Madhi tha se do t’i kërkohet autoritetit kompetent që të kërkojë në mënyrë urgjente tabulatet e telefonave të prokurorit Stojani. Kryetari i grupit të deputetëve të PR-së i kërkoi Presidentit të Republikës të ndërmarrë të gjithë hapat institucionalë dhe ligjorë ndaj prokurorit Stojani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›