E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet në qytet me 7 plumba shtetasi

18/02/2009  Viktima Avni Hoxha, i dënuar më parë për vrasje. Si pistë dhe hakmarrja

KORÇE- Mesditën e së martës, 54-vjeçari, Avni Hoxha, nga fshati Starovë i Pogradecit është gjetur i vrarë në qytetin e Korçës, jo shumë larg nga varrezat e këtij qyteti, i qëlluar me 7 plumba pistolete. Ngjarja tragjike ka zënë fill rreth orës 15.00, të po kësaj dite, kur Hoxha sapo kishte dalë nga banesa e së bijës, ku kjo fundit jeton në qytetin e Korçës, pasi është e martuar aty.

Vrasja

Mësohet se njerëz të panjohur i kishin zënë pritë, ndërsa pas realizimit të atentatit kanë mundur të largohen me një automjet që e kishin lënë larg vendin të ngjarjes ku do të kryhej vrasja, çka tregon qartë se gjithçka kishte qenë e parapërgatitur deri në detaje. Për momentin ende nuk dihen se cilat kanë qenë motivet që kanë çuar në këtë vrasje, por nga ana e policisë është dyshuar se mund të jetë bërë për larje hesapesh të vjetra, pasi Hoxha rezulton të ketë qenë i dënuar më parë për veprën penale të vrasjes. Gjithsesi, policia e Korçës nuk ka mundur të dalë me një version zyrtar të sajin mbi këtë ngjarje, ndërsa ka pohuar se po punohet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave ngjarjes. Megjithatë, fill pas kësaj ngjarjeje policia e Korçës ka mbërritur menjëherë në vendin e krimit ku ka gjetur trupin e pajetë të 54-vjeçarit dhe 7 gëzhojat e dala nga gryka e pistoletës. Nga hetimet paraprake të policisë, por edhe nga marrja në pyetje e dëshmitarëve okularë, janë hedhur dyshimet se akti kriminal mund të jetë kryer nga dy persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndërsa nuk përjashtohet mundësia se një person i tretë mund t’i ketë pritur diku më larg me automjetin e tij, çka ka bërë të mundur largimin e menjëhershëm të tyre nga vendi i ngjarjes. Nga ana e policisë janë marrë në pyetje edhe persona të tjerë që kanë qenë aty në çastin e vrasjes së Avni Hoxhës, por këta të fundit e kanë patur të vështirë të japin të dhëna mbi atë çfarë kishin parë, pasi breshëria e plumbave kishte ngjallur tmerr dhe panik mes qytetarëve që ishin ndodhur aty. Veç kësaj qytetarët kanë qenë të frikësuar, nisur edhe nga dyshimet e hedhura se vrasja mund të jetë kryer nga ndonjë klan mafioz, çka do t’u sillte më pas probleme edhe vetë qytetarëve. Nga burimet e policisë mësohet se Avni Hoxha kishte udhëtuar mëngjesin e ditës së martë nga fshati i tij, Starovë e Pogradecit, në drejtim të qytetit të Korçës, me qëllim për të sjellë të bijën tek shtëpia e bashkëshortit të saj, ku në familjen e së bijës ka qëndruar për disa orë. Pikërisht rreth orës 15.00, ai është ndarë nga e bija, për t’u kthyer sërish në fshatin e tij në Starovë, por pa e ditur se njerëz të armatosur i kishin ngritur pritë. Nga burimet e policisë mësohet se Hoxha kishte dalë nga shtëpia e bijës së tij, kishte shkuar drejt makinës së vet tip “Golf” me targa PG 23 83 B, kishte mundur të hipte në makinë, madje edhe ta vinte në lëvizje atë, por pikërisht në këtë çast ai është qëlluar me 7 plumba pistolete njëri pas tjetrit.

Si mendohet të ketë ndodhur

Në momentin që viktima ka hipur në makinë dhe e ka ndezur atë është qëlluar me 7 plumba pistolete. Ndërkaq Hoxha ka tentuar të largohet, por për shkak të plagëve që kishte marrë, gjë që sollën edhe vdekjen e menjëhershme të tij, makina kishte dalë nga kontrolli duke mbetur e përplasur pas një muri. “Gjithçka e ndodhur në ato momente, kanë pohuar qytetarët e gjendur në vendin e ngjarjes ka qenë e frikshme dhe mjaft tronditëse. Gjithsesi policia e Korçës ka pohuar se po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe se shumë shpejt do të dalë me version e saj zyrtar. Megjithë pak kohë më parë, sërish në rrethin e Korçës, në afërsi të Voskopojë, u gjet sërish një i vrarë me armë zjarri, ndërsa ende nuk ka ndonjë autor të identifikuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›