E Diel, 1 Nëntor 2026

Plumba vdekjeje në Yzberisht, dyshime për larje hesapesh

15/06/2009  Pas 2 atentateve të dështuara autorët e panjohur ekzekutuan 58-vjeçarin Dorzi

TIRANE- Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje qendrën e Yzberishtit, ku një 58-vjeçar ka mbetur i vdekur në ambientet e një lokali të zonës. Krimi mësohet të ketë ndodhur rreth orës 18:15 ku viktima Ramazan Dorzi është qëlluar disa herë me armë zjarri tip pistoletë në verandën e lokalit, ku ai ishte duke konsumuar kafe. Fillimisht është menduar se ekzekutimi i tij ka ndodhur për arsye politike, pasi afër lokalit ndodhet zyra e LSI-së, por më pas policia e ka hedhur poshtë këtë version. Nga veprimet e para hetimore të specialistëve të policisë është konstatuar se i sipërcituari ka qenë person me precedent penal si dhe kohë më parë ai i kishte shpëtuar dy atentateve për ekzekutimin fizik të tij. Aktualisht punonjësit e policisë dhe Prokurorisë së Tiranës po kryejnë hetime intensive për të identifikuar dhe arrestuar autorin e vrasjes së Ramazan Dorzit, por deri tani uniformat blu nuk kanë mundur të bien në gjurmët e tij. Gjithashtu grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të krimit, për të cilin ekspertët ngrenë dyshime se problemet e vjetra me individët kriminalë që veprojnë në zonën e Yzberishtit, kanë qenë rrethanat kryesore të ekzekutimit të shtetasit 58-vjeçar Ramazan Dorzi. Prej kohësh ky i fundit njihej në zonën e Yzberishtit se person me precedentë penalë. Duke u nisur nga kjo, por edhe nga dy atentat e dështuara, burime pranë grupit hetimor i ngritur menjëherë pas marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, shprehen se vrasja e 58-vjeçarit Dorzi në afërsi të një zyre elektorale të LSI-së, mund të jetë kryer nga anëtarët e të ashtuquajturës banda e Yzberishtit. Burimet pohuan se ky nuk është konkluzioni përfundimtar mbi ngjarjen, pasi në shërbim të hetimit aktualisht ka shumë pak fakte. Në kohët në vazhdim pritet që grupi hetimor të sigurojë prova bindëse, me anën e të cilave do të mundësohet edhe identifikimi i autorit që ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Dorzi. Ndërkohë që një numër i madh agjentësh janë dislokuar në Yzberisht si dhe në rrethinat e tij. Ata po kryejnë kontrolle të imtësishme në disa banesa ku policia dyshon se mund të jenë fshehur autorët si dhe po verifikojnë pusetat e rrugëve, pasi mendohet se pas kryerjes së krimit autori mund ta ketë hedhur armën në një nga to. Nga ana tjetër drejtuesit e Drejtorisë së Policisë Tiranë kanë shoqëruar në ambientet e komisariatit 15 dëshmitarë, të cilët kanë dhënë deklarime mbi rrethanat e kësaj vrasjeje. Përpara grupit hetimor ata kanë deklaruar se një person i vetëm është afruar dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të viktimës. Menjëherë pas këtij veprimi autori është larguar pa lënë asnjë gjurmë. Për parandalimin e tij policia ka urdhëruar ngritjen e disa postblloqeve policore në rrugët kryesore të Yzberishtit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›