Durrës, vihet në pranga polici-hajdut
OPERACIONI/ Martin Arrëza u kap ndërsa drejtonte një automjet të vjedhur tre muaj më parë në qytetin bregdetar
Pas ndalimit të Arrëzës u arrit të zbulohej edhe pjesa tjetër e grupit të vjedhjes, që përbëhej nga katër vetë
DURRËS - Ndërsa policia e Durrësit vazhdonte hetimin për një automjet të vjedhur në nëntor të vitit të kaluar, rezultoi se ajo kishte përfunduar në duart e kolegut të tyre, polic në komisariatin nr.3 në Tiranë. Martin Arrëza dhe tre shtetas të tjerë janë vënë në pranga, ndërsa akuzohen për disa vjedhje automjetesh të ndodhura në një zonë të gjerë, duke përfshirë Durrësin e Elbasanin. Arrestimi i policit Arrëza u bë pas hetimeve të kryera për gjetjen e automjetit të vjedhur.
Ngjarja
Më datën 29 nëntor të vitit 2008 në polici u paraqit Neim Zeqiri, i cili bëri denoncim se i kishin vjedhur automjetin me targa TR 0892 G. Pas një periudhe relativisht të gjatë kohore u siguruan të dhëna se mjeti ishte parë në qarkullim në qytetin e Tiranës, ku dhe është mundësuar ndalimi në një pikë kontrolli. Pas kërkimit të dokumenteve ka rezultuar se mjeti nuk e kishte në timon pronarin e vet, por një punonjës policie në rajonin nr.3 të Tiranës. Pas kësaj ka filluar seriali i kërkimit të personave të përfshië në këtë përvetësim të makinës dhe numri i tyre ka shkuar në katër vetë.
Arrestimi
Nga ana e uniformave blu u bë e ditur se të martën rreth orës 01:30, u vu në pranga Martin Arrëza, 22 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, punonjës policie në komisariatin e policisë nr.3 Tiranë; Gentjan Shijaku, 38 vjeç, lindur dhe banues në Durrës; Dorian Dedja, 25 vjeç, banor i Elbasanit; Artur Shijaku, 35 vjeç, banor i Durrësit. Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri - tjetrin, më 29 nëntor të vitit të kaluar kanë vjedhur automjetin e shtetasit Neim Zeqiri. Ky automjet u gjet në Tiranë dhe drejtohej nga punonjësi i policisë, Martin Arrëza. Pasi u bë ndalimi i tij, u bë i mundur edhe identifikimi e kapja e bashkëpunëtorëve të tjerë. Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se po vazhdon puna për dokumentimin e vjedhjes së disa automjeteve të ndodhura muajt e fundit në rrethin e Durrësit, pasi dyshohet se mos janë kryer nga i njëjti grup. Pas arrestimit të katërshes së përfshirë në këtë vjedhje në bashkëpunim, ështe bërë edhe sekuestrimi i automjetit në cilësinë e provës materiale.