E Diel, 1 Nëntor 2026

Duro: Nis regjistrimi i emigrantëve

Regjistri Kombëtar i Emigrantëve do të kthehet në realitet brenda muajve të ardhshëm, sipas ministrit të Punës, z. Anastas Duro. Ai ka deklaruar dje se ky regjistër ka mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare të Emigrimit dhe do të shërbejë për të pasur një politikë eficente ndaj tyre. “Ky regjistër nuk do të shërbejë thjesht dhe vetëm për statistika, por veçanërisht për të ndërtuar politika eficente për mbështetjen, mbrojtjen, por edhe rikthimin e pothuaj një të tretës së popullsisë”, - deklaroi ministri Duro. Sipas tij, kontributi i IOM-it në realizimin sa më të shpejtë dhe të saktë të këtij projekti, vlerësohet si i nevojshëm dhe i dobishëm nga strukturat e ministrisë. “Është ende problem evidentimi i të dhënave të sakta për numrin e shtetasve shqiptarë që dalin dhe hyjnë në territorin e Shqipërisë, të dhëna që do të ndihmonin në njohjen e tendencës së lëvizjeve për ndërtimin e politikave më eficente në fushën e emigracionit, si për emigrantët e kthyer apo që kërkojnë të kthehen, ashtu edhe për emigrantët potencialë”, - vuri në dukje ministri. Duro theksoi se “do të vazhdojmë të ndjekim me vëmendje ndryshimet e politikave dhe legjislacionit migrator evropian dhe në vendet fqinje, do t’i bëjmë ato prezente për publikun shqiptar brenda dhe jashtë vendit dhe, njëkohësisht, do të vazhdojmë përmirësimin e legjislacionit vendas në përputhje dhe koherencë me këto ndryshime”. Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të lartë të flukseve të migracionit në botë, pasi llogaritet që rreth 20-30% e popullsisë të jetë larguar nga vendi.

IOM i sheh emigrantët si një mundësi për të zgjidhur krizën ekonomike. “Qeveritë duhet të njohin kontributin pozitiv që kanë mundësi të japin migrantët për ripërtëritjen dhe rritjen ekonomike në vend dhe, për këtë arsye, duhet t'u hapin dyert atyre gjatë periudhave të rënieve ekonomike. Në të njëjtën kohë, vendet e origjinës kanë një përgjegjësi akoma më të madhe për të informuar qytetarët e tyre mbi realitetet e migracionit të rregullt dhe të parregullt dhe për të bashkëpunuar sa më ngushtë që të jetë e mundur me vendet e destinacionit dhe shoqëritë përkatëse për t'u siguruar që migracioni të jetë në dobi të të gjitha palëve”, – ka deklaruar dje organizata.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›