E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon protesta e Mjekëve, pas takimit me Pollon

Ka përfunduar pasditen e djeshme greva e mjekëve të QSUT-së dhe Fakultetit të Mjekësisë. Pas takimit me zëvendëskryeministrin, z. Genc Pollo, është vendosur ndërprerja e protestës. Sipas mjekëve, në këtë takim u premtua mbrojtja e bluzave të bardha me një status të veçantë, çka ishte cilësuar prej tyre si të vetmin mjet që do t’u siguronte atyre mbrojtjen ligjore në punë.

Protesta

Dje, në ditën e dytë të protestës, mjekët kanë protestuar të heshtur. Shefat e pavijoneve, mjekë dhe infermiere i janë bashkuar protestës treditore të bluzave të bardha. Në mbështetjeje të nismës së tyre ka ardhur edhe deklarata e drejtores së Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Gjeorgjina Kuli. Përmes një konferencë për shtyp, Kuli u ka kërkuar ligjvënësve të vendit, domosdoshmërinë për hartimin dhe miratimin e një ligji për krijimin e një statusi të veçantë për mbrojtjen e mjekëve.

“Shpreh indinjatën dhe shqetësimin në lidhje me aktet e dhunës ndaj mjekëve të ndodhura kohët e fundit. Dënoj këto akte si precedentë thellësisht negativë, të pakuptimtë, ndaj të cilëve duhet mbajtur një qëndrim distancues dhe kritik nga të gjithë, qytetarë të thjeshtë apo aktorë politikëbërës, si dhe nga ata që ushtrojnë ndikim të gjerë në opinionin publik”, - tha kreu i QSUT-së.

Profesorët e Fakultetit të Mjekësisë i janë bashkuar protestës së mjekëve të QSUT-së. Drejtorja e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Gjeorgjina Kuli, është shprehur se "është shpallur një protestë e profesoratit të Fakultetit të Mjekësisë. Ne nuk jemi kundër grevave, por ato duhet të bëhen gjithnjë brenda rregullave të caktuara, ligjshmërisë, një grevë me platformë të caktuar dhe e paralajmëruar".

Ajo shtoi se "ne do t’u përmbahemi atyre kritereve, të cilat përcakton ligjshmëria e shpalljes së grevave". "Nuk është kompetenca ime, si drejtuese e QSUT-së, që ta shpall grevën apo ta pranoj atë; ajo drejtohet nga sindikatat dhe bëhet në bazën e një platforme të caktuar", - tha drejtorja e QSUT-së, Kuli. Gjithashtu, ajo pohoi se pavarësisht protestës se mjekeve, puna në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë nuk është bojkotuar. Ndërkohë që aktualisht, në spitalet universitare bëhen vetëm operacionet e urgjencës, pasi shefat e shërbimeve kanë vendosur që këto tri ditë të braktisin operacionet e planifikuara.

Rastet

Protesta e paralajmëruar e mjekëve vjen si reagim pas ngjarjes së ndodhur disa ditë më parë, kur u plagos kolegu i tyre, mjeku endokrinolog Agron Ylli. Mjeku Ylli u qëllua me thikë nga një person, i cili kërkoi me forcë dhënien e fletës së kempit për bashkëshorten e tij. Kjo ngjarje shënoi rastin e tretë brenda këtij viti të dhunimit ndaj bluzave të bardha, pas dhunimit të kardiokirurgut Ali Refatllari dhe mjekut neurolog të spitalit të Vlorës, Kosta Koçiu.

Thirrje pedagogëve

Studentët e Mjekësisë: Mos bojkotoni mësimin

Por reagimi i parë kundër bojkotimit të mësimit në Fakultetin e Mjekësisë ka ardhur nga vetë studentët e këtij fakulteti. Këshilli studentor i Mjekësisë ka deklaruar se është kundër bojkotimit të mësimit nga ana e pedagogëve, ndërsa njëkohësisht solidarizohet me protestën e bluzave të bardha. “Ne dënojmë ashpër fenomenet ndaj bluzave të bardha dhe solidarizohemi me protestën e tyre, por mendojmë që fenomeni nuk do gjente zgjidhje duke bojkotuar mësimin”, - deklaroi Këshilli Studentor. Protesta pritet të përfundojë pasnesër.

Skema e re spitalore, si do rriten rrogat e mjekëve dhe infermiereve

ISKSH-ja nis shpërblimin me spitalin e Durrësit, që janë të parët të përfshirë në skemë. Vitin e ardhshëm skema përhapet në gjithë vendin

Blerta Mrishaj

Skema e re e sigurimeve shoqërore që po shpaloset në spitalet e vendit, do t’u rrisë të ardhurat mjekëve dhe infermiereve. ISKSH-ja ka parashtruar dje kriteret e përcaktuara, duke dhënë shpërblimin e parë në spitalin e Durrësit. Ky spital është i vetmi i përfshirë në këtë skemë, që në vitin 2009 do të përhapet në mbarë bendin. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, si shkak i suksesit të skemës së sigurimeve në spitale, ka vendosur të rritë 15.7 për qind pagat për 701 punonjës të spitalit të Durrësit. Pas 1 janarit 2009 është parashikuar që të futen në këtë skemë edhe 42 spitale të tjera që shtrihen në të gjithë vendin, ku sipas ISKSH-së, nëse të gjitha spitalet futen në këtë skemë, do të kenë përfitime punonjësit, pasi do të kenë rritje të vazhdueshme të pagës.

Skema

Rreth 701 punonjës të spitalit të Durrësit, aktualisht i vetmi spital i përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore, kanë përfituar një rritje të ndjeshme page në këtë fundvit, mesatarisht në masën 15.7%.

Drejtorja e ISKSH-së, Elvana Hana, tha dje gjatë mbledhjes së Këshillit Administrativ të ISKSH-së, se "kjo shtesë në pagë do të motivojë më tepër stafin e spitalit të Durrësit, ku aktualisht funksionon skema e sigurimeve shëndetësore".

Sipas saj, ky shpërblim pritet të jetë nxitje edhe për spitalet e tjera, të cilët, duke filluar nga 1 janari 2009, do të përfshihen në skemën e sigurimeve shëndetësore, ku pagat për mjekët do të jenë në rritje të vazhdueshme.

Por Hana theksoi se ISKSH-ja së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë do të monitorojnë punën dhe cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve.

Edhe kryetarja e Këshillit Administrativ të ISKSH-së, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, shprehu mbështetje për këtë vendim.

Me propozim të bordit drejtues të spitalit të Durrësit dhe bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 560, Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) miratoi rritjen e pagave për mjekët, infermierët dhe stafin mbështetës në spitalin e Durrësit.

Rritja

Bordi i spitalit të Durrësit miratoi në datën 5 nëntor studimin e grupit të punës, që parashikon rritjen e pagave të sistemit shëndetësor dhe jo shëndetësor mesatarisht në masën 15.7% për 701 punonjësit e spitalit. Propozimi për rritjen e pagave të punonjësve të këtij spitali është në vijim të vendimeve të Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave të punonjësve në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga ky vendim përfitojnë rritje page në spitalin e Durrësit 158 punonjës me arsim të lartë, me një rritje page me rreth 18.7% ose me një pagë mesatare prej 57 470 lekësh, nga 48 383 lekë, që është paga ekzistuese. Gjithashtu, nga ky vendim përfitojnë 326 punonjës të infermieristikës, me një rritje page me rreth 16.78% ose me një pagë mesatare prej 33 652 lekësh, nga 28 870 lekë që është paga ekzistuese. Ndërsa për personelin joshëndetësor, nga vendimi përfitojnë 217 punonjës, me një rritje page prej rreth 10% ose me një pagë 25 650 lekë, nga 23 440 lekë që është paga ekzistuese. Gjithashtu, është parashikuar edhe pagesa e studimeve të thelluara pasuniversitare për 23 punonjës të këtij spitali. Ky efekt financiar i rritjes se pagave do të përballohet nga buxheti i akorduar për spitalin e Durrësit për vitin 2008 dhe i shtrin efektet financiare nga 1 korriku 2008.

Sigurimet në spitale

Komisioni i Shëndetësisë diskuton mbi reformën

Futja e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore e propozuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, është diskutuar në Komisionin e Shëndetësisë. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, ngriti si problem parësor për realizimin e kësaj reforme autonominë e spitaleve si dhe likuidimin e borxheve që ato kanë akumuluar në vite. Sipas Hanës, spitalet kanë mbi 600 milionë lekë borxhe, për të cilat duhet gjetur një mënyrë që të lahen. Ndërkaq, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, u shpreh se futja në skemë e spitaleve do të sjellë një përmirësim të këtij sistemi, duke filluar nga furnizimi me medikamente deri tek pagat e mjekëve dhe personelit spitalor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›