E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minibashkitë: Rama premton investimet e 2008-s për 2009-n

Dy ditë para se buxheti të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak, të 11 kryetarët e minibashkive të kryeqytetit ishin të ftuar në një takim ku do të njiheshim më konkretisht me këtë buxhet. Por as, vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama nuk mori pjesë në këtë takim. Ndryshe nga sa pritej, në mbledhjen e djeshme ishin të pranishëm vetëm 6 kryetarë minibashkish të PD-së LSI-së dhe PS’91, ndërsa kryetarët e PS-së bojkotuan mbledhjen. Në mungesë të anëtarëve të tjerë të minibashkive, këshilltarëve si dhe specialistëve të financës, mes debatesh të ashpra, kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, mbajti mbledhjen vetëm pas një ore.

Investimet

Dëgjesat publike kanë qenë ndër pikat ku kryebashkiaku Rama është sulmuar më së shumti nga krerët e minibashkive. Sipas tyre, të gjitha dëgjesat e kryera në njësitë bashkiake që ata përfaqësojnë, kanë qenë pjesëmarrës punonjës të bashkisë dhe jo komuniteti i asaj zone. Për këtë Rama duhet t’i quajë dëgjesat publike dëgjesa me vetveten. Investimet mungojnë totalisht në të 6 njësitë, në atë 7, 1, 3, 9, 11, 10. Krerët e minibashkive kanë pohuar se asnjë nga projektet e premtuara për investime në këto zona nuk është realizuar. Pas analizës që ata i kanë bërë draftit të buxhetit, kanë vërtetuar se Rama premton investime në 2009-n projekte që kanë mbetur pa realizuar në 2008-n. Ndërkohë që gjatë këtij viti nuk është kryer asnjë investim nga të gjitha ato që ishin premtuar. Për këtë ata kanë kërkuar mosmiratim të buxhetit në këtë mbledhje, në rast se zëri i tyre nuk merret në konsideratë dhe nuk futen kërkesat e tyre në zërin e buxhetit.

“Konstatojmë se gjatë dëgjesave publike ne kemi dhënë një sërë projektesh dhe asgjë në veçanti nuk është kryer. Ne jemi totalisht kundër këtij projektbuxheti pasi për zonën time ai nuk sjell asnjë risi dhe asnjë investim”, - është shprehur Luzhiana Abazi, kryetare e minibashkisë numër 6. Konstatimi i Abazit është mbështetur nga të gjithë kryetarët e pranishëm. Madje, edhe në njësinë numër 3, ku mbledhja e taksave të pastrim-gjelbërimit shënon shifra rekord, Bashkia e Tiranës nuk ka kryer asnjë investim. Ilia Kokona, kryetar i kësaj njësie, ka pohuar se Rama edhe në buxhetin e 2009-s ka premtuar investime që duhej të ishin kryer gjatë këtij viti, por që nuk kanë përfunduar. Të gjithë kryetarët njëzëri kanë ngritur shqetësimin në lidhje me hartimin e buxhetit. Sipas tyre, në këtë buxhet mungonte detajimi i investimeve për secilën njësi bashkiake dhe kjo në total për të gjithë qytetin siç është aktualisht, pasi vetëm në këtë mënyrë dihet se sa është totali i investimit dhe buxheti që ka secila njësi bashkiake në përdorim.

Kundër buxhetit

Shoqata e Njësive Bashkiake ka kundërshtuar projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për 2009-n, i prezantuar një ditë më parë nga kryetari Rama. Tetë kryetarë të minibashkive të kryeqytetit kanë deklaruar se nuk do ta votojnë projektbuxhetin. Sipas tyre, buxheti i ngjan një tabele elektronike shifrash dhe jo prioritetesh dhe investimesh. Shoqata e Njësive Bashkiake paralajmëroi se këshilltarët e partive përkatëse në Këshillin Bashkiak nuk do ta votojnë projektbuxhetin.

Luzhiana Abazi, njësia 6

Nuk pashë asgjë të veçantë në këtë projektbuxhet për njësinë 6. Me sa kam konstatuar unë, Edi Rama ka kryer mbledhjet e dëgjesave publike me punonjësit e bashkisë dhe jo me komunitetin. Unë vura re projekte të miratuara dhe të premtuara për t’u realizuar në 2008-n që po rimerren në 2009-n.

Ilia Kokona, njësia 3

E vetmja rrugë e punuar është “Zhan Dark”. Dhe është betonizuar sheshi “Shtraus” dhe se nuk është projekt i 2008-s. Ndërkohë që ishin premtuar rrugë, vetëm një prej tyre është realizuar.

Harmand Halebi, njësia 9

Shpërndarja e fondit nuk është bërë në bazë të numrit të banorëve. Kam konstatuar se hartimi i buxhetit 2009 është bërë me të dhëna të pasakta. Kemi vënë re se në dëgjesat publike Rama ka trumbetuar 2 projekte që nuk ishin pjesë e njësisë 9.

Gerti Bogdani, njësia 10

Në këtë buxhet nuk pashë asnjë investim për strehimin, kur vetëm në njësinë time plotësohen 4-5 formularë strehimi në ditë. Në këtë buxhet nuk ka fond për parkimet, për shpronësimet dhe as për shqetësimet e qytetarëve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›