E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentoi të fuste fishekë në burgun e Lezhës, arrestohet nga policia

Një person është ndaluar nga gardianët e burgut të Shënkollit në Lezhë, teksa po përpiqej që të fuste në ambientet e brendshme të tij katër fishekë pistolete. Sipas burimeve, është ndaluar babai i një të burgosuri nga një fshat i Lezhës, i cili në mes ushqimeve dhe rrobave që po i dërgonte të birit, kishte vendosur edhe katër fishekë pistolete. Megjithatë, kontrolli i imtësishëm i bërë nga ana e punonjësve ka arritur që të zbulojë edhe “plaçkën” e rrezikshme në adresë të të birit të burgosur. Ata kanë parë në detaje çdo mall, rrobë apo ushqim që u kalonte të burgosurve nga prindërit apo të afërm të tyre. Sapo ata kanë hapur çantat me ushqime dhe plaçka, kanë vënë re të mbështjellë fishekët, ndaj menjëherë kanë njoftuar policinë, e cila ka bërë shoqërimin e personit që i kishte sjellë ato.

Nga burimet në burgun e Lezhës, personi i cili do të merrte këto fishekë kishte disa ditë që kishte kaluar në këtë burg. Ai ishte dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm, ndërsa dënimin e vuante në burgun e Peqinit. Mendohet se fishekët mund të ishin drejtuar pikërisht për në atë burg. Kjo, pasi aty ndodhen të dënuar edhe shumë persona të tjerë “VIP”. Pas kapjes së tyre janë ushtruar kontrolle të imëta në çdo qeli të burgut dhe në qelinë ku gjendej i burgosuri që do të merrte fishekët. Ka nisur puna për të zbuluar për destinacionin e fishekëve në burgun e Peqinit dhe përse ato do të përdoreshin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›