E Diel, 1 Nëntor 2026

Duro fitues i Red Bull Street Style

Fabian Duro nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, do t’i përfaqësojë shqiptarët në Kampionatin Botëror të futbollit në stilin e lirë, Red Bull Street Style, që mbahet prej 26 deri më 28 prill në Afrikën e Jugut.

Duro është zgjedhur shqiptari më i mirë i këtij sporti, gjatë kualifikimeve të mbajtura të premten në Tiranë, ku kanë marrë pjesë 25 konkurrues, pesë prej tyre nga Kosova, dy shqiptarë nga Greqia, kurse të tjerët ishin nga Shqipëria.

Fabian Duro u kualifikua për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror, pasi në gjysmëfinale triumfoi ndaj Enrik Kondakçiut, Ertil Kondakçiut dhe Holkid Selmanit.

“Pas pesë muajsh kërkime nëpër të gjithë qytetet e Shqipërisë dhe Kosovës për të zbuluar talentët e rinj në disiplinën sportive Street Style, më në fund në Tiranë u mblodhën 25 më të mirët, të cilët konkurruan për ta fituar një vend në kampionatin botëror”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Red Bull.

Paraqitja e pjesëmarrësve në këtë garë është bazuar në aftësitë teknike të tyre, në stil dhe në kreativitet. Në vitin e kaluar, në finalen botërore të këtij sporti të mbajtur në Brazil kanë marrë pjesë përfaqësues nga 45 vendeve të botës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›