E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durres- Kukes, koncerti hap ceremonine e përurimit

Aktualisht po zhvillohet një koncert festiv në hyrje të mbikalimit të parë të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Kryeministri shqiptar, kosovar dhe ai turk do të presin shiritin e përurimit të njërit krah të autostradës. 

RRESHEN- Nis ceremonia e përurimit të njërit krah të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. E cilësuar si vepra e shekullit që bashkon Shqipërinë me Kosovën ka bashkuar në qytetin e Rrëshenit, kryeministri shqiptar Sali Berisha, kryeministrin kosovar Hashim Thaci dhe kryeministrin turk Taip Erdogan.

Aktualisht po zhvillohet një koncert festiv në hyrje të mbikalimit të parë të kësaj autostrade, pak kilometra larg urës së Fanit, në të djathtë të së cilës duket qyteti i Rrëshenit.

Këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare si Bojken Lako, Soni Malaj, Ciljeta, dhe grupi i dancit, i drejtuar nga Albi Nako po performojnë përpara qindra qytetarëve që ndodhen aty për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit.

Të pranishëm janë dhe gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar, përfaqësues të medias shqiptare dhe asaj të huaj, OSBE-së dhe drejtues dhe punëtorë të firmës amerikano-turke Becthel- Enka që kryen punimet në segmentin Rrëshen-Kalimash, një ndër më të vështirët, ku përfshihet dhe tuneli Thirrë-Kalimash.

Kryeministrat do të përshkojnë në këmbë një pjesë të rrugës dhe më pas do të mbajnë fjalët e rastit në podiumin e ngritur në hyrje të mbikalimit të parë autostradës Durrës-Kukës- Morinë, pak kilometra larg urës së Fanit.
Më pas tre kryeministrat do të presin shiritin e përurimit.

Punimet për këtë autostradë nisën mbi dy vjet më parë. Për segmentin Rrëshen- Kalimash, një ndër më të vështirët e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, ku përfshihet dhe tuneli Thirrë-Kalimash, i ndërtuar në një terren shkëmbor, punoi firma amerikano-turke Bechtel-Enka.

Durrës-Kukës Morin do të shkurtojë me 65 kilometra distancën Shqipëri-Kosovë. Nga 330 që ishte distanca Tiranë-Prishtinë, me përfundimin e kësaj rruge ajo do të jetë 265 kilometra dhe më së shumti atë e shkurton tuneli Thirrë- Kalimash, më i madhi në Ballkan. Përgjatë autostradës Durrës- Kukës- Morinë janë ndërtuar 29 ura, më e larta e të cilave është 80 metra.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›