E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, procedura e re për tapinë

TIRANË- Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje ka hyrë në fazën e dhënies së certifikatave të pronësisë për individët që kanë përfituar lejen e legalizimit nga zyra e ALUIZNI-t.


Për përmbylljen në një kohë sa më të shpejtë të këtij procesi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka hartuar një udhëzim mbi bazën e të cilit do të kryhet procesi i regjistrimit të ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin.


Gjatë një ceremonie publike zhvilluar dje, në të cilën u shpërndanë disa certifikata pronësie për rrethin e Tiranës, zvkryeregjistruesja e Pasurive të Paluajtshme, Sonila Jazaj, iu bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë pranë Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, menjëherë pasi të jenë njoftuar nga ALUIZNI që kanë përfituar lejen.


Procedura


Qytetari, i cili është njoftuar se ka përfituar lejen e legalizimit të ndërtesës së tij, nga Agjencia Rajonale e Legalizimeve, do të informohet me anë të postës nga kjo e fundit se i janë dërguar dokumentet pranë Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.


Pas marrjes së njoftimit, ky i fundit duhet të paraqitet pranë ZVRPP-së përkatëse me njoftimin e ALUIZN-it ku duhet të bëjë pagesën e tarifës së shërbimit. Brenda 15 ditëve nga data e kryerjes së veprimeve të mësipërme, zyrat e regjistrimit të pasurive, duhet që të shqyrtojnë kërkesën e qytetarit dhe ta pajisin atë me certifikatën e pronësisë.


Në përfundim të procesit, qytetari do të pajiset me një nga dokumentet që vërtetojnë se ligjërisht ndërtesa është e tij. Në qoftë se zona në të cilën është ngritur ndërtesa, bën pjesë në sistemin e ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, qytetari përfiton certifikatë pronësie.


Nëse zona ku është ngritur objekti nuk është në Sistemin e Ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ai përfiton një vërtetim pronësie, deri në përfshirjen e zonës në sistemin e ri.


Zyrtarë të Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të pasurive të paluajtshme bëjnë me dije, se të dyja dokumentet e përfituara kanë të njëjtën vlerë dhe qytetarët gëzojnë të gjitha të drejtat ligjore mbi pronat e tyre.


Sipas ZQRPP-së, regjistrimi i lejeve të legalizimit do të bëhet si në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në pronësi të ndërtuesit, në parcela në pronësi të shtetit, apo edhe në prona private.


Në rastin kur ndërtesa është ngritur në parcela private, para regjistrimit të lejës së legalizimit në zyrat e pasurive të paluajtshme, bëhet ndryshimi i statusit të saj nga pronë shtetërore, në private. Emirjon Senja


Shpërndahen 43 tapitë e para


TIRANË- Në vazhdën e procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin, me anë të një ceremonie publike, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, shpëndau dje certifikatat e pronësisë për 43 qytetarë, në rrethin e Tiranës.


Kjo është faza e fundit e procesit të legalizimit të një ndërtimi pa leje, dhe pas marrjes së certifikatës së pronësisë, qytetari konsiderohet "de jure", pronar i objektit, mbi të cilin gëzon të gjitha të drejtat që legjislacioni i njeh atij.


Pas marrjes së certifikatës së pronësisë, pronari mund të kryejë shitjen apo përdorimin si kolateral në marrjen e një kredie në çdo bankë që operon në vend.



 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›