E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë; I jep fund jetës, vetëvaret në oborrin e shtëpisë një 17-vjeçar

Një 17-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në oborrin e banesës së tij përdhese në Kodër-Kamëz, në zonën e Bathores në Tiranë, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e motiveve që çuan adoleshentin të ndërmarrë aktin fatal. Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, rreth orës 01:00, kur shërbimet policore të komisariatit numër 5 morën njoftim se në lagjen nr. 1 në Bathore ka gjetur vdekjen një shtetas. Megjithatë, dyshohet që adoleshenti të ketë kryer aktin vetëflijues në kushte depresioni, të nxitura nga rrethana familjare. Sipas burimeve nga grupi i ekspertëve, i ndjeri dyshohet se e ka përjetuar keq një grindje brenda familjes në orët e vona të natës duke u gdhirë dita e djeshme, duke shtuar edhe faktin se humbja e të atit në një aksident në shtëpi pak vite më parë e kishte brengosur thellë dhe policia beson se akti vetëflijues kishte këto dy nxitje, si vendimtare për ngjarjen tragjike. “Në momente të një vendimi të vështirë brenda vetes, djaloshi ka kryer aktin fatal ndaj vetes, duke lidhur një litar në një pemë të oborrit dhe duke u varur aty”, - thanë hetuesit që kryen disa orë hetime në vendngjarje dhe morën dëshmi nga të afërmit. Këta të fundit thanë se e kishin parë vetëm disa minuta më vonë skenën e kobshme dhe ata kishin kuptuar se asgjë nuk mund të bëhej për ta kthyer në jetë adoleshentin. Sipas burimeve zyrtare, grupi hetimor konkludoi se shtetasi me inicialet R. D., 17 vjeç, ishte vetëvarur në oborrin e banesës së tij. Të njëjtat burime pohuan se hetuesit janë duke kryer hetime intensive për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje. Ndërkohë që çështja i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Tiranë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›