E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Shqipëri-Mali i Zi, aksion i përbashkët për mjedisin

Podgoricë Presidentët e dy vendeve diskutojnë për mbrojtjen e hapësirës së përbashkët

Presidenti Bamir Topi kërkoi dje nga akademikët dhe institucionet përgjegjshmëri në ruajtjen e mjedisit. Deklaratat, kreu i shtetit i bëri gjatë pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore me temë “Liqeni i Shkodrës - gjendja dhe perspektivat”, që u zhvillua në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë. Gjatë kësaj vizite, Presidenti Topi u takua me homologun e tij të Malit të Zi, Presidentin Vujanoviç. Pasi bëri një përshkrim të detajuar të vlerave historike, tradicionale dhe në veçanti të vlerave e pasurive të ekosistemit dhe të biodiversitetit të këtij rajoni jashtëzakonisht të rëndësishëm, Presidenti Topi apeloi që “të jemi të gjithë të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm në politikat e ruajtjes, mbrojtjes së kësaj pasurie mjedisore dhe padyshim shfrytëzimit të saj me eficensën dhe kujdesin e duhur”.

Presidenti Topi vuri në dukje se Liqeni e Shkodrës përbën jo thjesht një pikë takimi fizike të trevave që kufizojnë atë. “Ai është një bashkim i kulturave dhe historisë së dy popujve, të cilët sot më shumë se kurrë kanë bashkuar edhe aspiratën e tyre për t’u integruar, duke dhënë shembullin e shkëlqyer të fqinjësisë së mirë”, tha Topi. “Aktualisht, turizmi përbën ndoshta mekanizmin më efikas për njohjen, pasurimin, vlerësimin dhe evidentimin e historisë e kulturës së popujve tanë, të cilat domosdoshmërish nëpërmjet politikave koordinuese dhe nxitëse të mekanizmave bashkëkohorë, duhet të zënë vendin e tyre në rrjetin turistik rajonal dhe më gjerë”, tha Topi. Presidenti nënvizoi se “gjetja dhe zbatimi i instrumenteve eficente mbështetëse të këtyre projekteve të përbashkëta, duhet të kthehet në një moto e shtysë të spikatur të sistemeve tona shkencore akademike”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›