E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkollat e periferisë, më problematiket, mungon higjiena



Drejtoria e Higjienës: Në qytet janë marrë masat për rregullimin e gjendjes, ndërsa ato të komunave janë në gjendje jo të mirë për hapjen e dyerve për vitin e ri akademik

Edhe këtë vit shkollor nuk janë marrë masat për fillimin e procesit mësimor për të gjitha shkollat e vendit. Më problematiket këtë vit duket se janë shkollat e komunave dhe ato të periferisë së kryeqytetit. Gjatë kontrolleve të ushtuara nga Drejtoria e Higjienës në Tiranë janë evidentuar godina shkollash të parregulluara, tubacionet e ujit të prishura dhe banka e ndriçim të pamjaftueshëm.

Drejtoria e Higjienës

Në përfundim të vitit të kaluar shkollor, në muajin qershor, Drejtoria e Higjienës ka përcaktuar me anë të një shkrese detyrat përkatëse për të gjitha shkollat e kryeqytetit me qëllim që me ardhjen e viti të ri shkollor të mos lindin probleme. Besa Shehu, specialiste në Drejtorinë e Higjienës, pohon se kjo drejtori ka ushtruar kontroll të vazhdueshëm në shkolla për të parë higjienën e tyre. Specialistja Shehu pohon se në fund të muajit gusht kanë ardhur shkresa zyrtare ku evidentojnë problematikat e shkollave dhe përmirësimet përkatëse. “Në fund të qershorit ne lamë shkresat përkatëse për çdo shkollë. Në to cilësoheshin se çfarë duhej rregulluar. Më pas, në fund të muajit gusht, jemi pajisur me shkresë që tregon përmirësimet e bëra. Ne si drejtori nuk e lamë me kaq, por kemi kontrolluar secilën shkollë që nga data 1 shtator”, - shprehet specialistja e higjienës, znj.Besa Shehu.

Inspektimet e Drejtorisë së Higjienës kanë nxjerrë në pah si mjaft problematike situatën e shumë shkollave të periferisë, ku në mënyrë të veçantë të komunave Ndroq, Bërxullë dhe Paskuqan.

Kontrollet higjieno-sanitare janë shtrirë në të gjitha shkollat e kryeqytetit. Për një pjesë prej tyre kanë pasur probleme, por me sa duket, janë marrë masat për rregullimin e tyre para fillimit të vitit të ri shkollor.

Ndër më problematiket kanë qenë shkollat “Ahmet Gashi”, “Hoxha Tahsim”, “Kongresi i Lushnjes”, “Vasil Shanto” dhe të tjera, si “Kushtrimi i Lirisë”, “Çajupi”, “Eqrem Çabeji”, “Partizani” dhe “Petro Nini Luarasi”. Për problemet që kishin këto shkolla ne lamë detyrat në Drejtorinë Arsimore të fshatit dhe të qytetit, për bashkinë dhe Drejtorinë e Investimeve, Ministrinë e Arsimit.

“Përgjatë gjithë verës ne kemi mbajtur kontakte me bashkinë dhe sidomos me Drejtorinë e Investimeve. Gjatë gjithë kohës ata na kanë raportuar se çfarë është bërë duke treguar se çfarë është bërë. Në fund të gushtit ne kemi marrë një shkresë zyrtare ku në të pasqyroheshin të gjitha punimet që ne kishim kërkuar që të modifikoheshin. Gjithsesi, ne kemi rikontrolluar. Edhe përgjatë këtyre dy ditëve që na kanë mbetur, ne do të vazhdojmë kontrollin. Nga kontrollet është parë që është bërë një punë goxha e mirë, pasi janë marrë seriozisht të gjitha detyrat që i kemi ne për shkollat”, - pohon specialistja Shehu.

Shkollat afër qendrës

Më të privilegjuara për t;u rindërtuar kanë qenë shkollat afër qendrës së qytetit. Për këto, si bashkia ashtu Drejtoria Arsimore kanë marrë masat në mënyrë që të mos vonohet fillimi i procesit mësimor. Edhe për këto Drejtoria e Higjienës kishte evidentuar mjaft probleme, që nga mungesa e bankave të përshtatshme e deri tek pamjaftueshmëria e ndriçimit. Duket se janë marrë masat që këto defekte të rregullohen. Kështu, specialistja e Drejtorisë së Higjienës, Besa Shehu, tregon disa shkolla si problematike, por janë marrë masat që të rregullohen.

“Petro Nini Luarasi” - Ishte një shkollë që kishte probleme me tubacionet e ujërave të zeza pasi ato bllokoheshin. Nga Drejtoria Ekonomike ishin marrë masat për rregullimin e tubacioneve, ishin eliminuar pikat në tarracë, ishte lyer, po punohej në vazhdimësi.

“Vasil Shanto” - Në të kishte probleme me palestrën, e cila ishte e papunuar fare e papërfunduar, kishte lagështirë dhe hynte uji. Kanë filluar punimet, po përfundohet palestra, janë rregulluar tubacionet, do të fillohet punimet në oborr.

“Ahmet Gashi” - Ekspertët do të shkojnë sot dhe do ët shohin nëse ka ndryshuar situata dhe ka përmirësim.

“Kushtrimi i Lirisë” - Ka pasur goxha probleme, kishin filluar punimet dhe janë rregulluar goxha gjendja e tyre. Janë kryer punimet në rrjetin hidraulik dhe në atë hidro-sanitar. Janë lyer mjediset e brendshme të shkollës. Megjithatë, kjo shkollë është në plan rindërtimi së shpejti.

“Hoxha Tahsim” - Janë bërë goxha punime dhe janë eliminuar shumë probleme, si dhe po shihet mundësia për rindërtim.

“Kongresi i Lushnjes” - Është rregulluar çatia që pikonte, është brenda parametrave për zhvillimin e vitit të ri mësimor.

“Shkolla e kuqe” - Ka pasur probleme, pasi ka pasur një shembje të prapme të tubacioneve të banjave. Gjatë kontrolleve tona ne pamë që ishin hapur tamam punimet, ishte rregulluar e punuar, tubacionet ishin në rregull dhe banjat funksiononin.

“7 Marsi” - Janë bërë rregullime hidraulike, elektrike, të mirëmbajtjes brenda shkollës, ishte bërë gjithashtu edhe izolimi i tarracës.

“Partizani” - Kishte probleme pasi pikonte çatia, binin neonet. Janë realizuar punimet i kanë rregulluar neonet dhe çatinë. Shkolla është gati.

Shkollat e fshatrave dhe komunave

Mungesa e fondeve apo e organizmit po bëjnë që disa-ditës të degradohet procesi mësimor në shkollat e periferisë. Mungon uji, elementi më i domosdoshëm për mbajtjen e higjienës e sikur të mos mjaftonte kjo, për shumë shkolla nuk kanë dyer, ndërsa tavanet rrezikojnë t’u bien mbi kokë fëmijëve që mësojnë në to. Kjo është gjendja në të cilën ndodhen një pjesë e mirë e shkollave të komunave Ndroq, Bërxull, Paskuqan etj. Specialistja e Drejtorisë së Higjienës, znj.Besa Shehu, pohon se ndonëse janë ushtruar disa kontrolle sanitare në këto shkolla dhe janë bërë paralajmërimet për moshapjen e tyre në vitin e ri shkollor, drejtuesit e tyre nuk kanë marrë asnjë masë.

“Pas kontrolleve që bëmë në këto shkolla evidentuam një sërë problemesh. Lamë shkresat përkatëse, por gjithsesi nga drejtuesit nuk është marrë asnjë masë”, - shprehet Shehu.

Për situatën e krijuar specialistja e Drejtorisë së Higjienës, Besa Shehu, shpjegon se kanë nisur njoftimet përkatëse me urgjencën më të madhe, pasi këto shkolla kanë qenë shumë problematike edhe vjet. Dhe sivjet, me sa duket, do të vazhdojnë.

“Ne do të bëjmë shkresat urgjente si për prefekturën dhe për drejtoritë arsimore, do të shohim në vijimësi cila do të jetë zgjidhja e tyre”, - shpjegon specialistja e higjienës, Besa Shehu.

Shkolla 9-vjeçare Bërxull - Kishim lënë detyra për ujin, banjat janë të bllokuara. Nuk është bërë asgjë për rregullimin e gjendjes.

Shkolla e mesme Ndroq është problematike dhe nuk është marrë asnjë masë për rregullimin e gjendjes, klasat janë të prishura, shkolla e palyer brenda dhe jashtë.

Shkolla “Lagjja e Re” Ndroq, dyert e prishura, muret e pasovatuara.

Shkolla 9-vjeçare Laknas - Ka pasur probleme për ujin nuk është zgjidhur asgjë. Janë lënë dy vendime mbylljeje dhe nuk është zgjidhur asgjë. Por ne si Drejtori e Higjienës do të kontaktojmë me Drejtorinë Arsimore të Tiranës, me pushtetin vendor dhe prefekturën.

Shkolla Lan, komuna Vaqar. Kemi lënë disa detyra, si mungesa e ujit, oborri i shkollës, s’ka pompë, nuk furnizohet me ujë, nuk është bërë asgjë. Shkolla vazhdon të jetë e palyer, pra nuk është bërë asgjë. Kemi kontaktuar me pushtetin vendor për t’i bërë detyrat e caktuara. Do të shohim në vijimi se çfarë është bërë.

Shkolla Arbanë, komuna Vaqar gjendet në të njëjtën gjendje, nuk është vendosur akoma një pompë uji, shkolla është e palyer dhe pa ujë.

Shkolla Paskuqan është shumë e madhe, gjatë gjithë vitit ajo ka probleme me ujin, pasi ato marrin ujë nga një zorrë në vijë ajrore, sepse nuk ka ujë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›