E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, tatim-taksat nisin investigimin e subjekteve të vetëshpallura të falimentuara

Tatimorët dyshojnë se subjektet synojnë të punojnë në të zezë
Dega e tatimeve dhe taksave në Durrës vazhdon hetimin e disa subjekteve, të cilat kanë shpallur në mënyrë të njëanshme falimentimin. Janë 62 biznese, pronarët e të cilave kanë paraqitur deklarimin se për shkak të bilancit negativ kanë pushuar aktivitetin. Por inspektorët e tatimeve dhe taksave kanë vërejtur se në pjesën më të madhe të rasteve kemi të bëjmë me mashtrim nga deklaruesit. Ndonëse ende nuk ka një raport përfundimtar lidhur me dyshimet e hedhura më sipër, krerë të degës së tatimeve gjykojnë se synimi i këtyre bizneseve është të punojnë në të zezë duke i shmangur në mënyrë të qëllimtë detyrimeve tatimore. Është ende herët për të folur pasi jemi në fazën e investigimit, ka thënë kreu i degës së tatimeve në Durrës, Ilir Mandri. Ai është treguar i rezervuar por dyshohet se kjo kategori personash që deklarojnë falimentin kanë mbështetje nga vet inspektorët e tatimeve, të cilët marrin nën dorë një shumë parash në këmbim të mbylljes së syve para ushtrimit të palicencuar të aktivitetit. Afrimi i periudhës për të paguar këstin e parë të detyrimet nga katër të tillë në një vit kalendarik, ka nxitur deklarimin e fiktiviteteve. Tatimorët e Durrësit nuk kanë dhënë listën e deklaruesve të falimentit, por në mesi ne tyre ka edhe ndërmarrje të konfeksioneve si dhe punishte të tjera të ndryshme. Por aktualisht thuhet se asnjë nga firmat e konfindustrisë së paku në Durrës nuk ka pushuar aktivitet. Ka të tilla të vogla me fuqi punëtore nga 20-25 deri në 35-40 punëtorë që janë transferuar në një vend tjetër dhe ndërrimi i godinës së ushtrimit të aktivitetit është marrë si gjetje e mundshme për të fshehur aktivitetin. Kreu i tatimeve u ka kërkuar inspektorëve dhe departamenteve të degës së tatimeve e taksave të tregojnë kujdes në zbatimin e ligjit. Kalimi i dosjeve të biznesit të vogël në njësitë e pushtetit vendor ka krijuar jo pak hapësira fiktiviteti. Janë dhjetëra punishte, lokale, restorante, parukeri, lojëra fati, furra buke, punishte artizanale prodhimi pijesh, firma e sipërmarrës ndërtimi, pika tregtimi të mallrave të ndryshme dhe biznese të vogla që vonojnë në regjistrim. Por këtij numri i shtohen edhe disa reparte konfeksioni që nëse nuk kanë pasur mundësi të fshehin aktivitetin raportojnë në mënyrë fiktime të ardhurat dhe shpenzimet. Qindra gra e vajza që punojnë në rrobaqepësi e këpucari, po aq punëtorë e specialist të punësuar në industrinë e ndërtimit kanë muaj që nuk marrin pagat e tyre, ndërsa asnjëri prej tyre nuk rezulton i siguruar. Hedhja në rrugë e kësaj kategorie vijon të mos merret në mbrojtje as nga shteti dhe as nga sindikatat. Këto të fundit në disa raste të protestës së brendshme të të punësuarve janë bërë palë me sipërmarrës duke shtypur e ndryshuar kërkesat e ligjshme të përcaktuara edhe në Kodin e Punës. Ne kemi nisur investigimin e të gjitha subjekteve që kanë deklaruar falimentimin dhe do të dalim me një material përfundimtar shumë shpejt, ka thënë kreu i tatimeve, Ilir Mandri. Një nga mënyrat efektive për të mbajtur nën kontroll aktivitetet e paregjistruara është qarkullimi i inspektorëve të zonës. Në disa praktika është parë se disa inspektor nuk lëvizin nga zona e tyre që mbulojnë duke krijuar në këmbë mënyrë monopol. Bizneset që punojnë pa dokumente janë të gatshme të afrojnë deri në 100 mijë apo 150 mijë lekë në vit mjafton të mos paguajnë letrat dhe taksat. Pikërisht nisur nga të tilla mbështetje një pjesë e bizneseve kanë shpallur aktivitetin e tyre të mbyllur. Një vit më parë numërohen të regjistruar 1724 subjekte prej të cilave 1485 subjekte të vogla dhe 239 të mëdha. Një vit më parë kanë mbyllur aktivitet për arsye të ndryshme 678 subjekte, ndërkohë që në periudhën janar 2008-dhjetor 2008 janë shënuar 269 subjekte më shumë sesa një vit më parë. Për periudhën janar-10 mars 2009 janë regjistruar 72 subjekte juridike dhe 2 ente publike, ndërkohë që numrit të mësipërm i janë shtuar edhe 425 biznese të vogla kanë hapur për herë të parë aktivitet privat. Të dhënave që ka afruar dega e tatimeve në Durrës gjatë vitit 2008 kanë pushuar aktivitet 383 subjekte. Ajo që kërkohet me shumë ngutje nga tatimorët është vendosja e bashkëpunimit me qendrat e regjistrimit dhe departamentet e taksave e tatimeve në njësitë vendore. Mandri ka thënë se në këtë drejtim Duhet më shumë bashkëpunim me departamentin e taksave dhe të tatimeve të njësive vendore për të mos lejuar aktivitetin e palicencuar. Që ende ka paraqitur vështirësi për statistikat e tatimeve është fakti se vetëm dega e Durrësit punon në proces elektronik, kurse Kavaja dhe Kruja vijojnë të ruajnë e pasqyrojnë të dhënat në rrugë manuale. Sipas kreut të tatimeve Mandri në një kohë të afërt dega do të ketë lidhje on-line me të gjitha filialet e saj sinë Krujë edhe në Kavajë, lidhje e cila kontrollohet po në të njëjtën mënyrë nga Drejtoria e Përgjithshme.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›