E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatat, Topi nis fazën e dytë të konsultimeve për kriteret

Presidenti i Republikës u takua dje me grupet e interesit të gjyqësorit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka nisur dje fazën e dytë të konsultimit për emërimin e gjashtë anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe katër anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Kreu i shtetit shqiptar, ka takuar dje përfaqësuesit më të rëndësishëm të interesit të kësaj fushe, të cilët do të hartojnë zyrtarisht draftet e kritereve që do të jenë dokumente këshillimore, natyrisht jo obiligative për Presidentin në lidhje për procesin e rëndësishëm të përzgjedhjes së njerëzve që do të ngjiten në shkallën më të lartë të dy prej institucioneve të pavarura kushtetuese. Presidenti Topi është takuar dje me: Marjana Seminin, drejtore e Shkollës së Magjistraturës; Artur Kalanë, kryetar i Unionit të Gjyqtarëve; Manjola Bejlerin, kryetare e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Skënder Kaçupin, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Aleks Luarasin konstitucionalist i njohur dhe Maksim Haxhinë, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Presidenti diskutoi mbi kriteret e publikuara nga Institucioni i Presidentit si konform i standardeve më të mira demokratike për përzgjedhjen e profesionistëve më të spikatur.

Në takimin e djeshëm nuk është diskutuar për emra, por mbi kriteret e përzgjedhjes së gjyqtarëve të lartë dhe të Kushtetueses. Ekspertët ligjorë, në përfundim të këtij procesi konsultimi, do të paraqesin sugjerimet e tyre për standardet dhe kriteret, veç atyre ligjore, që mund të merren parasysh gjatë përzgjedhjes së kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, kritere që lidhen me etikën, moralin e nivelin profesional të kandidatëve, mbi bazën e të cilave Presidenti i Republikës do të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për emërimin e anëtarëve në këto Gjykata. Presidenti Topi deklaroi dje se ky është një proces tejet i rëndësishëm jo vetëm për shkak të numrit të konsiderueshëm të vendeve vakante, por edhe për funksionin specifik që kanë këto dy gjykata në strukturën institucionale të vendit. “Për shkak të kësaj rëndësie, kam qenë i hapur”, vërejti Presidenti i Republikës, “dhe u kam bërë thirrje konstante partive parlamentare që t’i kushtojnë gjithë vëmendjen e duhur përmirësimit të klimës politike, me qëllim krijimin e një shtrati bashkëpunimi për këto emërime. Politika duhet të ruajë strukturën e shtetit. Ajo duhet të jetë e harmonizuar për gjëra madhore!”. Në njoftimin e saj, zyra e shtypit e Presidencës thekson se takimi është zhvilluar në funksion të përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, nëpërmjet një procesi sa më transparent, profesional e në respekt të një tradite të mirë. Në takimin e djeshëm ka qenë prezent edhe shefi i misionit të Bashkimit Europian për Drejtësinë “Euralius”, Roland Miklau, si dhe shefi i misionit të SHBA-së për Drejtësinë, OBDAT.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›