PS, në gatishmëri të plotë për SHISH-in
Partia Socialiste pritet të ketë angazhimin maksimal sot në seancën e fundit plenare për këtë sesion. Paqartësia e krijuar nga mospublikimi në kohë i rendit të ditës ka nxitur dyshimet për një ridiskutim të ligjit për SHISH, miratimi i të cilit tashmë varet nga prezenca e deputetëve socialistë dhe refuzimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe deputetëve të PDI për të dhënë votën pro. Një situatë e krijuar edhe në seancën e së enjtes, ku prania e së gjithë trupës parlamentare socialiste duket se detyroi demokratët të tërheqin nismën në fjalë, e cila edhe si e tillë u kontestua nga tre deputetë demokratë në Komisionin e Sigurisë. Gjithsesi burime nga Grupi Parlamentar bëjnë të ditur se një ose dy deputetë mund të mungojnë për arsye të largimit nga Shqipëria, çka e bën të pasigurt rrjedhën e seancës së sotme parlamentare. Madje paqartësitë i ka shtuar edhe rendi i munguar i ditës, për të cilin, dje, sekretari i Grupit Parlamentar të selisë rozë, Taulant Balla, bëri një kërkesë publike. Vendimi për të votuar kundër projektligjit për SHISH-in u mor në mënyrë të beftë më 21 korrik nga ekipi drejtues i selisë rozë, pas informacionit se votimi i tij në seancën e datës 22 ishte shumë i mundshëm. Si akt politik, ai përbën një thyerje të bojkotit konstant që selia rozë i ka bërë vendimmarrjes parlamentare, për shkak të moszgjidhjes së krizës politike që ka të bëjë me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
#