Gërdeci si çështje humanitare, politike dhe juridike
Partitë kryesore të opozitës organizuan këtë javë mitingje proteste në njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Debati pas protestës u përqendrua tek “e drejta morale dhe politike” për të përfituar elektoralisht nga nje fatkeqësi e tillë. Sa mendoni se është e legjitimuar apo e justifikuar opozita në protestën e saj “për Gërdecin” ?
Opozitat në çdo kohë dhe në çdo vend përpiqen të gjejnë të gjitha mundësitë për të kritikuar qeverinë, për të ndikuar mbi elektoratin, sikurse bëjnë edhe partitë në pushtet nga ana e tyre për ta ndikuar elektoratin me mjetet dhe argumentet e veta. Kështu është edhe në rastin që ju përmendni. Këtu pra nuk është çështja nëse duhet apo jo që opozita të marrë si argument ngjarjen e Gërdecit për të protestuar, problemi i vërtetë lidhet me atë sesa arrin t’a sensibilizojë elektoratin rreth këtij argumenti. Kjo mbetet për t’u parë e matur në vazhdimësi dhe në rezultatin përfundimtar të votimeve.
Logjika politike nuk është e ngjashme me logjikën politike. Kurse logjika humanitare është fare tjetër gjë. Politika kështu e ka : fajëson persona, administrata, struktura ushtarake përpara se këtë t’a bëjnë organet e hetimit apo përpara sesa të japë verdiktin e vet gjykata. Në shoqëritë me opinionin të lirë publik, këtu qendron një nga problemet më serioze. Fajësimi publik apo mediatik lidhur me një çështje përpara se këtë fajësim t’a bëjnë organet e specializuara për të dhënë drejtësi. Po kështu thuhet qartë, se ky dënim i dikujt nëpërmjet opinionit pubik ose mediave, mund të përbëjë edhe një presion indirekt mbi organet e drejtësisë. Kështu konsiderohet të paktën nga specialistët më të mirë perëndimorë të komunikimit. Opinioni pubik sigurisht bën mirë që sensibilizohet për të nxjerrë përgjegjësitë për tragjedinë e viktimave, kurse drejtësia është e paanëshme dhe e analizon ngjarjen nisur nga ana ligjore.
Edhe për atë ngjarje të dhimbëshme ka nevojë që përgjegjësitë të jenë konkrete, të diferencuara, sipas hierarkive përkatëse dhe nuk mund t’i vishen toptan një njeriu apo një hallke të ekzekutivit. Për këtë fjala i takon drejtësisë dhe jo mitingjeve.
Problemi i viktimave i kohërave dhe rasteve të ndryshme ka marrë tashmë një trajtim politik në këto kohë parafushatash elektorale.
Në një shoqëri politike gjithçka merr ngjyra politike. Edhe interesimi për viktimat. Nga të gjitha palët. Ngjarjet e fundit e vërtetojnë më së miri këtë aspekt. Partia socialiste dhe Partia lidhja socialiste për integrim i zhvilluan të ndara mitingjet, me simpatizantët e tyre dhe me fjalime me kundërshti politike mes tyre. Po kështu ndodh edhe midis palëve opozitë – parti në pushtet. Opozita i mëshon fatit të hidhur të viktimave të katastrofës së Gërdecit, kurse politikanë të partisë në pushtet janë afishuar duke i mëshuar fatit të hidhur të tragjedisë së 9 janarit.
Duke qenë këtu, mund të thuhet se përdorimi i ngjarjeve tragjike dhe i fatit të keq të viktimave në parafushatat elektorale sigurisht është i kuptueshëm. Por, përbën amà edhe një thjeshtëzim të skajshëm të komunikimit politik sepse e mbështet atë kryesisht te pasioni, te ndjenja e keqardhjes apo e zëmërimit dhe te fakti më parësor që prek njeriun e thjeshtë : humbja e jetës e një njeriu apo e disa njerëzve.
Pa e përjashtuar këtë, do të kisha dashur që anën humanitare të problemit t’a merrnin në dorë pjesë të tjera të shoqërisë civile, kurse partitë politike kanë nevojë te bëjnë përqasje programore, do të doja përshembull që të trajtonin probleme të tilla për vitet e ardhëshme :
Do të shesi armë dhe municione Shqipëria ?
Do të zbatohet legjislacioni i punës në këto sipërmarrje ushtarake dhe në të tjera apo ai nuk është i plotë ?
Cilat janë rreziqet që i vijnë vendit dhe popullsisë zonë pas zone nga depot e armatimeve të vjetra ?
Cilat do të jenë mënyrat dhe vendet e përshtatshme të demontimit ?
A ka vend të shihen proçedurat e kontrollit civil mbi këtë proçes ?
A duhet të vijnë specialistë të huaj dhe të blihen teknologji moderne për këtë proces apo duhet të bëhet me mjete rrethanore ?
Është më mirë që këtë proçes t’a kryejë shteti, apo mund të bëhet edhe nga sipërmarrje private ?
Cilat janë mangësitë në legjislacionin shqiptar që lejojnë që askush deri më sot të mos quhet fajtor juridikisht për atë që ndodhi ?
A duhet pyetur pushteti lokal dhe popullsia civile për mënyrën sesi administrohet hapësira që ai ka nën juridiksion ?
A ka burimet rreziqesh të tjera në territorin shqiptar që mund të krijojnë shpërthime të tilla ?
Nëse duam të diskutojmë politikisht për Gërdecin, mendoj se duhet arsyetuar në këtë nivel që përmenda kurse mëshimi te viktimat nuk është aq sa duhet një nivel retorike politike, por humanitare, të cilët nuk besoj se duhen ngatërruar me njeri tjetrin megjithëse thjeshtëzimi i mesazhit politik mund të ketë fuqi mobilizuese nëpërmjet ndjenjës.
Përfaqësues të shoqatave të pronarëve kanë deklaruar se janë të zhgënjyer nga dy partitë kryesore të mazhorancës, PD dhe PR, duke kërcënuar me votë ne prag të zgjedhjeve. Duke pasur parasysh raportet e qeverisë me pronat në këto katër vite, sa e mendoni se qendron “zemerimi” i pronareve, a mund të ndikojë prihja e raportit me këtë shtrese në rezultatin elektoral të së djathtës në zgjedhjet e qershorit ? Si e shihni të majtën në raport me këtë fenomen ?
Ne folëm edhe javën e kaluar rreth kësaj teme, pavarësisht se nën një këndvështrim tjetër. Për këtë arsye kam dëshirë që të pohoj edhe një herë se çështja e pronës kërkon zgjidhje, jo vetëm në planin ekonomik sikurse trajtohet në përgjithësi, por edhe në planin moral dhe të asaj të së drejtës, të personalitetit të njeriut.
Ka nevojë të ecet në mënyrë edhe më të vendosur në të treja drejtimet, së pari në kthimin e pronave si tokë bujqësore, etj., të ish pronarëve që iu është mohuar deritani kjo e drejtë. Në këtë plan nuk është e thënë që ky proçes të kryhet si kthim në natyrë atje ku nuk mund të bëhet, pra, te ato sipërfaqe toke bujqësore që tashmë i është dhënë në pronësi popullsisë rurale, sipas ligjit në fuqi. Nuk besoj që ka forcë dhe parti politike që të ketë mundësi t’a bëjë këtë. Atje ku ka mundësi dhe toka të pazëna kjo mund të bëhet. Kurse për pjesën tashmë tashmë të shpërndarë kthimi mund të bëhet në forma monetare të negociueshme financiarisht, pra nëpërmjet terreneve të tjera të pëlqyeshme ose me anë të dhënies së aksioneve në ndërrmarjet e privatizuara, parasë e kështu me rradhë. Ka plot forma të ndryshme
Në përgjithësi nuk ka përse të mbetemi në format e rambursimit në natyrë të cilat në fund të fundit nuk janë veçse forma troku, sikurse ka qenë shitja e një deleje me çmimin e një gomari, apo shitja e një dhije me çmimin e një gjeli deti. Këto forma troku karakterizojnë shoqëritë parajuridike ku në pazar një objekt shkëmbehej me një objekt tjetër, kurse ne fatmirësisht kemi mundësi të përdorimit të parasë dhe letrave të tjera me vlerë që mallin e shkëmbejnë me një mjet pagese universal financiar. Kjo gjë e lehtëson shumë proçesin. Krijimi i tregut masiv të tokës bujqësore do t’a normalizonte shumë proçesin në fjalë.
Pastaj e thashë edhe javën tjetër që ka vend të legalizohen ndërtimet pa leje të kryera nga popullsitë e çvendosura në zonat përreth qyteteve të mëdha dhe pasi të bëhet kjo të ndalohet tashmë radikalisht çdo ndërtim tjetër.
Është e vërtetë që kjo nuk shkon me parimet e një të drejte të kulluar, por nuk është as hera e parë dhe as hera e fundit, kur shteti është i detyruar të lëshojë para presionit të fuqisë së qytetarëve që nuk duan të binden për të zbatuar një kriter formal pronësor. Në këtë rast është shteti që modifikohet. Por nuk mund të qendrojnë ashtu të bllokuara ato pasuri të mëdha.
Së treti, duhet ecur realisht në hipotekimin e apartamenteve të blera rregullisht nga qytetarët, por që për shkak të informaliteteve apo parregullsive të shkaktuara nga ndërtuesit, nuk kanë arritur t’a bëjnë këtë hipotekim më parë.
Është e vërtetë se kohët e fundit diçka ka nisur të lëvizë në këto drejtime, por ajo që është bërë nuk është veçse fillimi.
Ish pronarët duhet që realisht të fillojnë të shpërblehen masivisht nga dhjetë përqindëshi i privatizimeve, dhe ndërkaq legalizimi i ndërtesave duhet të shoqërohet me hipotekimin real të apartamenteve. Ka nevojë të bëhet një fushatë transparence në këtë drejtim sepse qytetarët ende nuk e dinë ende mirë se cilat pallate legalizohen dhe si e ku bëhet proçesi i hipotekimit. Firmat ndërtuese nuk e vënë ujin në zjarr për t’i njoftuar. Kam frikë se proçesi nuk po shkon deri në fund e në mënyrë të shpejtuar. Disa gazeta botuan emra firmash ndërtimi që mund të përfitojnë nga legalizimet, por qytetarët duan të dinë adresat e këtyre ndërtimeve sepse emrat e firmave të ndërtimit i kanë bërë nuk iu thonë asgjë. Proçesi ka mbetur ende i paqartë dhe jo fort i prekshëm nga ana e qytetarit, pavarësisht se vendimi i marrë është shumë i drejtë.
Po t’i kthehemi pyetjes suaj që ka lidhje me ndonjë pakënaqësi të ish pronarëve ndaj partisë demokratike për shkak se nuk ka ecur sa duhet drejt kthimit të pronave, apo edhe ndaj partive të majta aq më shumë, desha të them se kam këtë mendim :
Unë e kuptoj shumë mirë se ish pronarët kanë arsye të kenë pakënaqësi ndaj politikës, ndaj partive të qendrës së djathtë, në mënyrë specifike, sepse shpresojnë më shumë, sigurisht te ato, për të rimarrë pronat e tyre. Mirëpo situata, gjykoj, më duket e ndërlikuar.
Çfarë mund të bëjnë ish pronarët për t’a ndikuar politikën ?
Të krijojnë një parti të tyre ?
Fakti që nuk e kanë bërë deritani e ka një shpjegim që duhet gjetur. Mund të jenë disa arësye, por sipas meje aryseja kryesore është se ata kanë preferuar më shumë të qendrojnë pasivë politikisht sesa të veprojnë si të tillë. Kjo vjen se qendrimi politik nuk është një pasqyrë besnike e statusit pronësor. Ka pronarë të niveleve të ndryshme pronësie, me bindje dhe përvojë politike të ndryshme, të majtë ose të djathtë, ka konfiguracione të ndryshme pronësie, çka do të thotë se ish pronarët e djathtë dhe ish pronarët e majtë nuk kanë mundur të krijojnë parti politike sepse bindjet e tyre politike i kanë shumë të ndryshme. Halli që i ka zënë ndofta i bashkon, por bindjet politike i ndajnë. Unë njoh ish pronarë që nga pikëpamja politike janë gati të grinden gjithë ditën mes tyre.
Në kushtet tona, gjykoj, se pikërisht ajo që nuk duhet bërë është që t’a politizosh çështjen e pronës. Ka ish pronarë që janë edhe ish të persekutuar politikë, por ka edhe ish pronarë që nuk kanë qenë fare të tillë, përkundrazi që kanë qenë normalisht të integruar, për aq sa mund të flitet për normalitet, në rregjimin e kaluar.
Nga ana tjetër, ata duhet t’a kuptojnë se problemi i tyre nuk zgjidhet kaq thjesht në kohë fushatash elekorale. Përse ?
E kam fjalën më shumë për ish pronarët e tokave bujqësore. Arsyeja është që sapo një parti nis të mendojë për interesat e ish pronarëve, menjëherë ajo ka pasur pësuar rrudhje në elektoratin rural që ka përfituar nga ligji për tokën. Nuk e di nëse kuptohem apo jo ? Përballë këtyre presioneve kontradiktore, partitë politike kanë gjetur me vend deri tani të anojnë andej nga ka qenë edhe pesha më e madhe elektorale.
Nuk besoj se ish pronarët, për shkak të pakënaqësive të ndryshme nuk do të votojnë andej nga duan. Më së pari, sikurse theksojnë teoricienët e demokracisë, në këtë formë shteti të gjithë janë nga pak të pakënaqur, sepse e kanë të lirë t’a shprehin pakënqësinë, sepse kanë mundësi të kërkojnë gjithnjë e më shumë, e mbi të gjitha se duke qenë demokracia një ekuilibër i detyrueshëm forcash elektorale e politike, janë gjetur kompromise, të cilët sido që të jenë, si të tillë, edhe i kënaqin të gjithë, por edhe i lënë të gjithë disi të pakënaqur.
Në demokraci, shumica voton sigurisht jo pa vërejtje për atë parti që e voton. Kjo iu ndodh të gjitha partive. Demokracia pikërisht nga kjo karakterizohet gjithandej, pra nga qytetarë të lirë, të pakënaqur që votojnë pasi ballancojnë pakënaqësitë, interesat, shpresat, avantazhet, arritjet e ndryshme që kanë pasur në të gjitha vitet e paskomunizmit.
Duhet me ditë gjithashtu se shoqëria civile e kompozuar nga grupe shoqërore të ndryshme është ndërtuar në atë mënyrë saqë një individ nuk bën pjesë vetëm në një grup, por në shumë grupe bashkë. Dikush mund të jetë i pakënaqur si ish pronar, por mund të jetë i kënaqur që i ka shpëtuar një persekutimi, apo se ka fëmijën të kënaqur në administratën publike, apo se i janë plotësuar interesa si pjestar i një grupi tjetër interesash. Nuk ka kuptim të mendosh sesi do të votojnë ish pronarët kur dihet se ata nuk janë pastërtisht të tillë vetëm, por janë edhe pjestarë të kategorive të tjera shoqërore.
Pra, duke qenë i angazhuar që problemi i pronës në Shqipëri të zgjidhet me drejtësi, në fshat dhe në qytet, dhe në kryeqytet, përsëri them se nuk mendoj se do të ketë një votim unik politik nga ish pronarët. Ata prej vitesh votojnë për parti të ndryshme politike, ca të majtë e ca të djathtë e ca të qendrës dhe gjykoj se kështu do të votojnë edhe kësaj rradhe. Aq më shumë se nuk ka ndonjë shoqatë ish pronarësh që të ketë aq kredibilitet politik në elektorat saqë duke bërë një thirrje, të ndiqet nga elektorati.