E Diel, 1 Nëntor 2026

UT: Ky vit akademik pa probleme me stafin pedagogjik dhe ambientet

Viti i ri akademik për studentët e rinj të Universitetit të Tiranës do të nisë me një staf të kompletuar pedagogjik dhe ambiente të mjaftueshme. Rektori i këtij universiteti, Prof, Dr. Dhori Kule tha se UT nuk do të ketë probleme për sa i përket stafit pedagogjik, dhe ambienteve, ku do të vendosen studentet. Sipas tij, godinat e tetë fakulteteve të UT, kanë të gjithë kapacitetin për të pritur, rreth 8 mijë studentët e UT. "Fillimi i vitit të ardhshme siguron staf më cilësor dhe të kompletuar nga pikëpamja numerike. Pritet që pas përfundimit të projektit të detajuar të kampusit universitar të nisë puna për ndërtimin e tij dhe kryeministri, Sali Berisha e ka mbështetur dhe kam bindjen që do të fillojë procesi për ndërtimin e tij, si një zgjidhje përfundimtare sipas  infrastrukturës perëndimore të UT, u shpreh Kule. Ndër të tjera plot 20 profesorë të huaj nga Italia, Anglia dhe Danimarka pritet që së afërmi të japin mësim në degët e mësuesisë në UT, si pjesë e një projekti 2-vjeçar të Programit "Tempus", financuar nga Bashkimi Evropian me një vlerë prej 805 mijë Euro.
Matura Shtetërore, nesër provimet me zgjedhje
30 mijë maturantë në të gjithë vendin do ti nënshtrohen nesër provimeve me zgjedhje në mënyrë që më pas të kenë mundësi të plotësojnë formularin A2 për të renditur degët që preferojnë për të fituar të drejtën e studimit në universitet. Testi do të zgjasë 2 orë e 30 minuta dhe maturantët do tu përgjigjen tezave të hartuar nga specialistët të cilat pritet të dalin nga ngujimi ditën e nesërme, pasi të ketë nisur provimi. Sipas Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve specialistët e ngujuar do të hartojnë rreth 12 teste, për lëndët matematikë, gjuhë shqipe, fizikë, kimi, biologji, histori, gjeografi, njohuri për shoqërinë, ekonomi, filozofi, anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht. Tezat përmbajnë pyetje me zhvillim dhe me alternativa.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›