E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX përgënjeshtron Stefanovic

Irina Gudelevic, zëdhënëse e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë EULEX, ka vlerësuar sot se letrat që ky mision ka shpërndarë në vendkalimet në pjesën veriore të Kosovës, për regjistrimet e veturave me targat “KS” dhe “RKS” dhe shfrytëzimin e dokumenteve të Kosovës, janë në përputhje me marrëveshjen ndërmjet Beogradit e Prishtinës, për lëvizjen e lirë.

“Edhe Beogradi dhe Prishtina, për këtë janë pajtuar në korrik të vitit të kaluar dhe planifikimi i EULEX është bazuar në këtë marrëveshje”, tha Gudeleviq dhe ka shtuar se “është normale që para se të vazhdoni me cilindo lloj të implementimit, paraprakisht në mënyrë adekuate t’i informoni njerëzit dhe tu jepni kohë të mjaftueshme që të kërkojnë zgjidhje përkatëse, që do të jenë në harmoni me marrëveshjet”.

Agjencia Beta ka raportuar se me rastin e letrave që EULEX ka shpërndarë në Jarinje dhe Bërnjak, për regjistrimin e automobilave me targat “KS” dhe “RKS” dhe shfrytëzimin e dokumenteve të Kosovës, prej një qershorit, shefi i delegacionit të Serbisë në dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanovic, ka thënë se këto masa janë të njëanshme dhe të papranueshme dhe se nuk janë pjesë e çfarëdo marrëveshje të Brukselit.

Përfaqësuesit e serbëve në pjesën veriore të Kosovës dje kanë protestuar për shkak të masave të paralajmëruara dhe kanë vlerësuar se Stefanovic nuk ua ka paraqitur në mënyrë të njëjtë marrëveshjen me Prishtinën. Ata i kanë bërë thirrje Stefanovic që përsëri t’i shpjegojë detajet e marrëveshjes.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›