Idrizi: Të inventarizohen pronat e çamëve
Partia për Drejtësi dhe Unitet, e drejtuar nga deputeti Shpëtim Idrizi, do të iniciojë një interpelancë me ministrin e Shtetit, Genc Pollo, për sa i përket regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. “Ne do të thërrasim në interpelancë ministrin Genc Pollo, për të dhënë sqarime rreth regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare”, tha dje për “Shqip”, Idrizi. Duke bërë një koment rreth deklaratave të ministrit të Jashtëm plotësues grek, Dimitris Droutsas për këtë problem, ai ka nënvizuar se “regjistrimi nuk është detyrim para Këshillit të Europës, sepse askush në Europë nuk bën regjistrim mbi bazë fetare dhe etnike”. Sipas tij, deklarimet e fundit të ardhura nga Greqia flasin për prapavijën e vërtetë të këtij akti, që po ndërmerret nga shteti shqiptar dhe kundrejt të cilit PDU do të reagojë në rrugë institucionale. Ndërkohë, një koment është bërë i njohur nga Idrizi rreth projektit të paralajmëruar nga Droutsas për inventarizimin e pronave të minoritetit grek në Shqipëri, një nismë që do të realizohet së bashku me OSBE. “Ne, shumë shpejt, do të kërkojmë nga qeveria shqiptare dhe OSBE inventarizimin e pronave të çamëve në Greqi”, tha Idrizi për gazetën “Shqip”. Kështu, qëndrimet e Athinës zyrtare rreth problemeve që mbeten të pazgjidhura apo që pretendohen, kanë sjellë reagimet e para në Shqipëri. Me interes është fakti se kërkesa të tilla si inventarizimi i pronave neglizhon në vetvete legjislacionin vendas që i ka njohur minoritetit të drejtën e pronës, pavarësisht se sipas Idrizit, ajo është e fituar pikërisht nga ligji shqiptar dhe nuk është e trashëguar. Në një plan afatshkurtër, kur Shqipëria po afrohet gjithnjë e më shumë me familjen europiane, duket se problemet e shtyra për një kohë të gjatë do të hyjnë në axhendën politike për zgjidhje. Për Shqipërinë, prononcimi për çështjen çame mbetet i hapur dhe një detyrim që buron tashmë edhe nga ndryshimi cilësor në përfaqësimin politik të brendshëm të këtij komuniteti që ka zërin e vet në Parlament.
#